RTSH 24 Live

Botë

Itali/ Rrëzohet avioni ushtarak, humb jetën një 5-vjeçare

16/09/2023

Itali/ Rrëzohet avioni ushtarak, humb jetën një 5-vjeçare

Një aksident fatal është shënuar pasditen e së shtunës në qytetin italian të Torino.

Një aeroplan i forcave ushtarake të Italisë u rrëzua pak pas ngritjes nga aeroporti i Kazeles dhe si pasojë një vajzë pesëvjeçare ka humbur jetën nga flakët e shkaktuara nga përplasja.

Piloti i avionit arriti të shpëtojë duke u hedhur me parashutë dhe u shtrua në spital për djegiet.

Fati ishte tragjik për familjen, e cila po udhëtonte me makinë në një rrugë fshati që shkon përgjatë aeroportit të Torinos, kur një copë e djegur u shkëput nga avioni dhe goditi automjetin.

5-vjeçarja raportohet se gjeti menjëherë vdekjen nga djegiet e mëdha, ndërsa vëllai i saj 12-vjeçar u transportua në gjendje të rëndë në spital.

Plagë morën edhe babai me nënën e dy fëmijëve.

Sipas medieve italiane, ekipi i avionëve sapo ishte nisur për një fluturim akrobatik në lartësi të ulët si pjesë e një aktiviteti për të festuar njëqindvjetorin e Forcave Ajrore. Aktiviteti u anulua për shkak të aksidentit.

/rtsh.al/