RTSH 24 Live

Botë

Itali, fillon gjyqi ndaj organizatës kriminale “Ndrageta”

13/01/2021

Itali, fillon gjyqi ndaj organizatës kriminale “Ndrageta”

Në Italinë e Jugut filloi të mërkurën një proces gjyqësor kundër organzatës kriminale “Ndrangeta”, një nga grupet më të pasura kriminale në botë që ka zgjeruar ndikimin e saj në Itali, me reduktimin e ndikimit të mafias siçiliane. Prokurorët shpresojnë se gjyqi do të jetë një goditje vendimtare ndaj ‘Ndrangetës’, organizatës mafioze me bazë në Kalabri që ka shfrytëzuar dhjetëra miliarda dollarë të ardhura nga trafiku i kokainës për të zgjeruar operacionet e saj kriminale në të gjithë Evropën dhe në disa kontinente të tjera. Seanca gjyqësore ndaj më shumë se 300 të pandehurve u hap në një bunker të ndërtuar posaçërisht për këtë ngjarje në terrenin e një parku industrial në Kalabri.

“Ndrangeta ka pothuajse monopolin në importin e kokainës në Evropë”, tha para gjykatësve prokurori Nicola Gratteri.

Hetuesit thanë se “Ndrageta” ka krijuar baza në pjesën më të madhe të Evropës perëndimore, veriore dhe qendrore si dhe Australi, Amerikën e Veriut e të Jugut. Gjithashtu ajo është aktive edhe në Afrikë.

“Mafia italiane gjithnjë e më shumë është e pranishme në Evropën qendrore, lindore dhe veriore, ku ata shesin kokainë dhe merren me pastrimin e parave. Në këto vende sistemi i drejtësisë nuk është i fortë, por mbi të gjitha ato nuk dinë ose nuk kanë vullnet politikë të luftojnë kundër fenomenit të pastrimit të parave”, tha prokurori Gratteri.

Gjyqi është rezultat i hetimit të 12 klaneve të lidhura me një udhëheqës të dënuar të “Ndrangetës”.

Ne mesin e akuzave të ndryshëm që po merren në shqyrtim nga gjykata janë trafikimi i drogës dhe armëve, zhvatja dhe sindikatat mafioze, një term i përdorur në kodin penal të Italisë për anëtarët e grupeve të krimit të organizuar. Të tjerët akuzohen për bashkëpunim me “Ndrangetën” pa qenë anëtarë të saj.

“Dekada më parë, njerëzit kishin frikë nga “Cosa Nostra” ose “Ndrageta”, fjalë që pëshpëriteshin vetëm në dhoma të fshehta rreth oxhakut. Sot ne po fillojmë të flasim hapur në mes të ditës për këtë. Në dy vitet e fundit ne kemi parë një rritje të ankesave nga bizneset, qytetarë të frikësuar, viktimat e fajdeve, njerëz që janë lodhur nga frika prej Ndragetës”, tha prokurori Gratteri.

Bunkeri në Lamezia Terme është i madh dhe i pajisur me shumë ekrane, në mënyrë që pjesëmarrësit të mund të shohin më mirë procesin gjyqësor. Dhoma, ku po zhvillohet gjyqi është e pajisur me tavolina të shumta për të mundësuar pjesëmarrjen e rreth 600 avokatëve, duke respektuar rregullat e distancimit fizik për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Gjyqi pritet të zgjasë të paktën një vit. Prokuroria ka njoftuar gjykatën se shpreson të thërrasë më shumë se 900 dëshmitarë.