RTSH 24 Live

Politikë

Ish presidenti Meta : Skandali “Aktivisti” është një tjetër dhunim flagrant i shtetit ligjor

08/02/2023

Ish presidenti Meta : Skandali “Aktivisti” është një tjetër dhunim flagrant i shtetit ligjor

Ish presidenti Ilir Meta aktualisht kreu i Partisë së Lirisë në opozitë, ka denoncuar të mërkurën atë që ai e quajti skandalin me aplikacionin Aktivisti të PS.

Duke e cilësuar si një mjet shantazhi, frikësimi dhe presioni në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, gjatë një daljeje para gazetarëve të mërkurën zoti Meta tha se "skandali bëhet edhe më i madh “kur zbulohen se pjesë e listës së aplikacionit janë të paktën 40 prokurorë dhe 27 gjyqtarë, anëtarë të KLP, KLGJ, SPAK dhe të institucioneve të tjera kyçe të reformës në drejtësi, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit në Tiranë dhe qarqe, mjekë, infermierë dhe mësues, punonjës të tatimeve, doganave etj”.

"Keqpërdorimi i punonjësve të administratës publike dhe institucioneve më të larta të drejtësisë në funksion të propagandës së gënjeshtërt të “Rilindjes” dhe të zgjedhjeve vendore të 14 majit, nëpërmjet shantazhit, intimidimit dhe presionit, meriton një hetim të thellë dhe të gjithanshëm” tha zoti Meta. Sipas tij ativisti “është një organizatë kriminale për të mbajtur një bandë në pushtet”.

Zoti Meta tha se kërkonte nga drejtësia zbardhjen e plotë të së vërtetën, autorët dhe urdhëruesit e këtij skandali. Sipas tij kjo ngjarje "përbën jo vetëm veprimtari të ndaluar nga neni 91 i Kodit Zgjedhor, por përmban elemente të disa veprave penale të parashikuara nga Kodi Penal, duke filluar nga shpërdorimi i detyrës (neni 248 i Kodit Penal) i konsumuar nga funksionarët, deri te “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikuar nga neni 328/a, i Kodit Penal.

Kreu i PL, Ilir Meta ka bërë thirrje që qytetarët të bashkohen me opozitën në protestën e 11 shkurtit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po  “bën gjithçka për të shmangur vëmendjen nga skandali që ka plasur”, duke iu referuar çështjes “McGonigal”.

 

/ rtsh.al /