RTSH 24 Live

Kosova

Ish-ministri serb i Mbrojtjes: Kosovën e kemi humbur me nënshkrimin e kapitullimit në vitin 1999

02/02/2023

Ish-ministri serb i Mbrojtjes: Kosovën e kemi humbur me nënshkrimin e kapitullimit në vitin 1999

Ish-ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Dragan Shutanovac ka deklaruar se Serbia e ka humbur Kosovën që prej vitit 1999.

Në vitin 1999 në Kumanovë ne praktikisht nënshkruam kapitullimin me të cilin humbëm integritetin dhe sovranitetin tonë territorial në Kosovë. Me tërheqjen e ushtrisë dhe policisë, ne e humbëm atë”, tha, ish-kryetar i Partisë Demokratike (DS).

Shutanovac ka vlerësuar se para asaj lufte është dashur të diskutohet se çfarë do të bëhet në rast të humbjes.

Thuhet se nëse ne tani e nënshkruajmë marrëveshjen (propozimi franko-gjerman) që nuk kërkon njohjen e Kosovës së pavarur, do të humbasim sovranitetin tonë territorial. Dhe, ku është sovraniteti ynë territorial, nëse patriarku ynë (i Kishës Ortodokse Serbe) nuk mund të shkojë në Kosovë?”, pyeti Shutanovac.

Ai vlerësoi se propozimi franko-gjerman duhet të plotësohet dhe të diskutohet për çështje thelbësore, siç janë statusi i kishave, manastireve dhe pasurive kulturore dhe historike serbe.

Unë pres që në negociata të fitohet një status special për ta. Për mua është e rëndësishme se si të sillem ndaj pronës (në Kosovë) të shtetit të Serbisë, kompanive të caktuara dhe individëve privatë. Unë mendoj se duhet të negociohet një status special për të gjitha enklavat dhe serbët që nuk kanë mundësi të kenë një polici (nacionale) të përzier”, tha ai.

Shutanovac ka shtuar se “është e nevojshme të bindet pala kosovare, para së gjithash kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të formojnë Asociacionin e komunave serbe, i cili nuk është ideal, por është më i miri që kemi”.

/rtsh.al/