RTSH 24 Live

Botë

Ish-kryeministri britanik, Johnson: Gjermania, fillimisht, ishte në favor të një humbje të shpejtë ushtarake të Ukrainës

23/11/2022

Ish-kryeministri britanik, Johnson: Gjermania, fillimisht, ishte në favor të një humbje të shpejtë ushtarake të Ukrainës

Ish-kryeministri britanik Boris Johnson, bëri të ditur se Franca mohoi në fillim mundësinë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ai madje akuzoi qeverinë gjermane se fillimisht kishte qenë më në favor të një humbje të shpejtë ushtarake të Ukrainës, se sa për vazhdimin e një konflikti të gjatë.

Johnson i tha rrjetit partner të CNN, CNN Portugal, se qëndrimet e vendeve perëndimore kishin shumë ndryshime, përpara se Moska të fillonte pushtimin e saj të plotë të Ukrainës më 24 shkurt, duke veçuar tre vende kryesore të BE-së.

Këto komente duket se nuk do të mirëpriten në disa kryeqytete evropiane. Gjermani, në përgjigje të këtyre komenteve u shpreh ironikisht se Johnson kishte "një marrëdhënie unike me të vërtetën".

Gjithësesi, Johnson theksoi se vendet e BE-së më pas u rreshtuan në mbështetje të Ukrainës, gjë që nuk kishte ndodhur përpara pushtimit rus.

"Kjo ishte një tronditje e madhe. Ne mundëm të shihnim grupet taktike të batalioneve ruse që grumbulloheshin, por vende të ndryshme kishin pikëpamje shumë të ndryshme,"- tha Johnson, për Richard Quest të CNN në Portugali.

“Pikëpamja gjermane ishte fillimisht se nëse do të ndodhte, kjo do të ishte një katastrofë, por nëse ndodhte, do të ishte më mirë që ajo të përfundonte sa më shpejt dhe Ukraina të pushtohej”,- pohoi Johnson, duke nënvizuar se arsyeja themelore në këtë qasje e Gjermanisë ishte aspekti ekonomik.

“Nuk mund ta mbështesja këtë. Mendova se ishte një mënyrë katastrofike për ta parë atë që po ndodhte. Por unë mundohesha ta kuptoja pse ata mendonin në atë mënyrë",- vazhdoi Johnson. 

Gjermania, me shpejtësi, ka kërkuar të reduktojë varësinë e saj nga energjia ruse që nga pushtimi i Moskës.

Presidenti francez Emmanuel Macron u përball me përpjekjet e Evropës për të bindur Vladimir Putin që të mos pushtonte Ukrainën, duke e takuar atë në Kremlin vetëm disa javë përpara se udhëheqësi rus të urdhëronte trupat e tij për pushtim.

Në mars, shefit të inteligjencës ushtarake franceze, gjeneralit Eric Vidaud, i'u kërkua të largohej nga posti, pjesërisht për "dështim të parashikimeve", lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, tha CNN në atë kohë një burim ushtarak me njohuri për këtë çështje.

Johnson kritikoi gjithashtu edhe reagimin fillestar të Italisë ndaj kërcënimit rus për pushtim. Ai i tha Quest se qeveria e udhëhequr nga Mario Draghi, fillimisht deklaronte se nuk ishte në gjendje që të mbështeste pozicionin që ne po merrnim, duke pasur parasysh se Italia mbështetej masivisht tek hidrokarburet ruse.

CNN ka kontaktuar qeverinë franceze dhe gjermane. Zyra e Draghit nuk pranoi të bënte komente.

Të mërkurën, Miguel Berger, ambasadori gjerman në MB, ndau një koment në Twitter, që i'a atribuoi një zëdhënësi të qeverisë: “Ne e dimë se ish-kryeministri është shumë argëtues dhe ka gjithmonë një marrëdhënie unike me të vërtetën. Edhe ky rast nuk bën përjashtim.”

Shumë vëzhgues fillimisht besuan se një pushtim rus i Ukrainës do të përfundonte brenda pak javësh ose ditësh, por forcat e Kievit në vend të kësaj zmbrapsën nisjen fillestare të Moskës drejt kryeqytetit dhe së fundmi kanë kryer kundërsulme të suksesshme për të rimarrë terren në lindje dhe jug të vendit.

Johnson tha se sapo Rusia nisi pushtimin e saj në shkurt, qëndrimet në të gjithë Evropën ndryshuan shpejt.

“Ajo që ndodhi ishte se të gjithë, gjermanët, francezët, italianët, të gjithë, (presidenti i SHBA) Joe Biden, e panë se nuk kishte më asnjë opsion, sepse nuk mund të negocioje me këtë djalë (Putin). Kjo ishte pika kyçe,”- tha ish-kryeministri, duke shtuar se “BE-ja ka bërë një punë të shkëlqyer” duke kundërshtuar Rusinë.

“Pas gjithë anktheve të mia, jap vlerësime për mënyrën se si ka vepruar BE. Ata kanë qenë të bashkuar. Sanksionet ishin të ashpra”,- vazhdoi Johnson.

Gjatë periudhës së tij në detyrë, Johnson shpesh kritikoi pushtimin e Rusisë dhe krijoi një marrëdhënie të ngushtë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Johnson u detyrua të jepte dorëheqjen në korrik, pasi skandalet e përsëritura i’a vunë reputacionin në dyshim dhe shumë ministra të tij dhanë dorëheqjen.

Johnson i tha CNN se Zelensky ka qenë "absolutisht i jashtëzakonshëm".

“Ai është një djalë shumë i guximshëm. Unë mendoj se historia e këtij konflikti do të kishte qenë krejtësisht ndryshe nëse ai nuk do të kishte qenë atje.”- shtoi ai. CNN

/rtsh.al/