RTSH 24 Live

Botë

Irlanda dhe Holanda përfitueset kryesore të fondeve të rregullimit postBrexit

13/01/2021

Irlanda dhe Holanda përfitueset kryesore të fondeve të rregullimit postBrexit
Irlanda dhe Holanda do të bëhen përfituesit kryesorë të rezervës së rregullimit prej pesë miliardë euro të vendosur nga BE për të mbështetur sektorët ekonomikë më të prekur nga Brexit, sipas një propozimi të zbuluar sot nga Komisioni Europian.

 

Këto dy vende ndiqen nga Gjermania, Franca dhe Belgjika, sipas një tabele që detajon shpërndarjen e fondit midis 27 vendeve, botuar në Twitter nga komisionerja Elisa Ferreira.

Rreth 4,245 miliardë euro me çmime aktuale (4 miliardë me çmime konstante) do të paguhen në 2021, më pas 1,1 miliardë (1 miliardë me çmime konstante) në 2024.
 
Në këstin e parë, Irlanda pritet të marrë 1,052 miliardë euro, Holanda 757,4 milionë, Gjermania 455,4 milionë, Franca 420,8 milionë dhe Belgjika 324,1 milionë euro.
 
Shpërndarja ende nuk është aprovuar nga shtetet anëtare dhe Parlamenti Europian.
 
Kjo rezervë rregullimi është në program të një takimi të ambasadorëve të 27 shteteve të BE-së në Bruksel.
 

”Alokimi i këtyre fondeve merr parasysh rëndësinë e tregtisë me Britaninë e Madhe dhe rëndësinë e peshkimit në zonën ekskluzive ekonomike të Britanisë së Madhe”, ishte shprehur më herët Komisioni Europian në një propozim më 25 dhjetor.

Marrëveshja postBrexit mes BE-së dhe Britanisë së Madhe dhe MB, që hyri në fuqi më 1 janar, mundëson për të dy palët të vazhdojnë tregtinë pa kuota ose tarifa.

Por, kjo nuk shmang kostot e reja dhe formalitetet administrative për kompanitë europiane që bëjnë biznes me Britaninë e Madhe./ATSH