RTSH 24 Live

Rajon

Investitorët evropianë paraqesin  mundësitë dhe avantazhet e të bërit biznes në Ballkanin Perëndimor

22/11/2022

Investitorët evropianë paraqesin  mundësitë dhe avantazhet e të bërit biznes në Ballkanin Perëndimor

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Forumi i Investimeve i 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WBCIF), mblodhën të martën investitorë evropianë nga Austria, Kroacia, Italia dhe Sllovenia, agjencitë e promovimit të investimeve të BP-së, për të paraqitur mundësitë dhe përfitimet e investimit në rajon në Konferencën e Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Që nga viti 2019, sipas raportit të Bankës Botërore, FDI- të (Investimet e Huaja Direkte) kanë kontribuar 4.9% të PBB-së së rajonit, 5.3% në 2020, 5.8% në 2021 dhe këtë vit vlerësohet të kontribuojnë me 5.2%, me një përqindje të ngjashme të parashikuar edhe për dy vitet e ardhshme.

Sipas Pranvera Kastratit, koordinatorja e Tregut të Përbashkët, Ballkani Perëndimor po bëhet një destinacion gjithnjë e më i rëndësishëm investimi dhe një vend ku transparenca, gjithëpërfshirja dhe besimi ndahen dhe promovohen gjerësisht. Kjo e ardhme nuk mund të ndërtohet brenda natës, por mund të konsolidohet vazhdimisht në zona të ndryshme, përmes transportit, lëvizshmërisë, roaming-ut, inovacionit e industries, shtoi zonja Kastrati. 

“Që bashkëpunimi rajonal është e vetmja mënyrë praktike mendojnë edhe 76% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe 69% e bizneseve të Ballkanit Perëndimor, të cilët e kuptojnë dhe e mbështesin rëndësinë e punës në grup për arritjen e sfidave që vijnë nga jashtë dhe brenda rajonit”, tha koordinatorja Kastrati.

Konferenca përcolli informacione mbi investimet, avantazhet e reja të të bërit biznes në Ballkanin Perëndimor; shfaqi shembuj të rasteve të suksesit dhe prezantoi avantazhin krahasues të rajonit të Ballkanit Perëndimor me destinacionet e tjera.

“Qëllimi ynë është të tregojmë se bashkëpunimi mund të krijojë kapital, të krijojë vende të reja pune dhe të ndërtojë besim, sepse realiteti i biznesit gjithmonë fillon nga ajo që na bashkon” tha Marko Cadez, President i Bordit Drejtues të WBCIF.

 Duke theksuar se është koha për besim të ndërsjelltë, e duke ftuar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor të ndajnë një vizion të njëjtë për një rajon të sukseshëm zoti Cadez  ia dorëzoi kryesimin e Bordit Drejtues të WBCIF, Lulzim Rafunës kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

( Sipas RCC )