RTSH 24 Live

Ekonomi

Investimet që nxorën Fushë-Krujën nga harta e përmbytjeve

13/01/2021

Investimet që nxorën Fushë-Krujën nga harta e përmbytjeve

 

Investimi për rehabilitimin e Lumit Zezë në qytetin e Fushë-Krujës ka nxjerrë qytetin nga harta e përmbytjeve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Fushë-Kruja e para disa viteve dhe qyteti sot, pas investimit që evitoi përmbytjet.

“Mirëmëngjes dhe me investimin që bëri që hyrje-dalja e Fushë-Krujës bashkë me qindra banesa e familje të mos përmbyten më (siç përmbyteshin 3 e 4 herë në vit kur qeveriseshin nga të mbyturit në politikën e sharjeve, shpifjeve, akuzave, e pastaj mbeteshin me javë në llucë e në lagështirë), ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Lumi Zezë ka qenë gjithmonë problem për banorët e Krujës, ndërsa me rehabilitimin e lumit dhe ndërtimin e urës janë evituar 100% përmbytjet në qytet.

E gjithë sipërfaqja e pronave që më parë prekej nga dalja e ujit për shkak të lumit Zezë, nuk është dëmtuar fare nga reshjet e fundit.

Projekti për rehabilitimin e lumit Zezë nisi nga pika veriore e qytetit deri në rrugën nacionale që lidhet me Mamurrasin.

Ndërhyrja përfshiu sistemimin e seksionit të lumit me mure betonarme, ndërtimin e mureve prej gabioni dhe me gërmimin dhe sistemimin e skarpateve të lumit.

Investimi me vlerë 441.8 milionë lekë ka evituar tërësisht përmbytjet në qytetin e Krujës.