RTSH 24 Live

Kulturë

Inva Mula rikthim në "shtëpi", bashkë me Genc Tukiçin sjell koncertin “Për ty babë”

10/05/2022

Inva Mula rikthim në "shtëpi", bashkë me Genc Tukiçin sjell koncertin “Për ty babë”
Koncerti “Për ty babë” nga Inva Mula dhe Genc Tukiçi

Një koncert që do të mbahet mend gjatë nga spektatori shkodran ishte ai i datës 9 maj në teatrin “Migjeni” ku sopranoja Inva Mula dhe muzikanti Genc Tukiçi erdhën me një koncert homazh kushtuar baballarëve të tyre, yjeve të muzikës klasike shqiptare Avni Mula dhe Ibrahim Tukiçi.

Dy artistët e skenës e nisën me këngë shkodrane dhe e mbyllën me të tilla sepse siç e thanë edhe ata vetë: “Shkodra mbetet shtëpia e tyre e zemrës”, njëjtë si edhe Gjakova ku Avni Mula u lind.

Koncerti i titulluar “Për ty babë” u shoqërua me një repertor të pasur këngësh shoqëruar prej duartrokitjesh të gjata nga publiku, duke nisur nga ato shkodrane për të vazhduar me këngët nga Kosova e deri te këngët më të bukura italiane dhe ato franceze.

Nuk munguan as disa prej këngëve të festivaleve për fëmijë ku Inva merrte pjesë rregullisht dikur në Shkodër duke i risjellë kujtime nga fëmijëria e saj në këtë qytet ndërsa i gjithë koncerti shoqërohej nga një kolazh i bukur fotografish nga fëmijëria dhe vitet në vazhdim të artistëve Avni Mula dhe Ibrahim Tukiçi.

Një ndër momentet më emocionuese të spektaklit ishte padyshim dueti i Luleborës ku Inva Mula e bëri edhe Genc Tukiçin të këndonte në duet së bashku.

Pas mbarimit të koncertit artistët u shprehën të emocionuar për pritjen që i bëri publiku shkodran.

Koncerti “Për ty babë” përmbylli të gjithë aktivitetet e zhvilluara në kuadrin e Festës së Luleve, e cila zgjati katër ditë me radhë dhe solli atmosferë të madhe në qytet. 

/rtsh/