RTSH 24 Live

Art

Inteligjenca Artificiale/ Sting: Industria e muzikës do të përballet me 'një betejë' në vitet e ardhshme

18/05/2023

Inteligjenca Artificiale/ Sting: Industria e muzikës do të përballet me 'një betejë' në vitet e ardhshme

Këngëtari Sting thotë se muzikantët po përballen me "një betejë" për të mbrojtur punën e tyre kundër rritjes së këngëve të shkruara nga Inteligjenca Artificiale.

“Muzika na përket neve, qenieve njerëzore”, tha ai për BBC.

"Kjo do të jetë një betejë që të gjithë duhet të luftojmë në dy vitet e ardhshme. Mbrojtja e kapitalit tonë njerëzor kundër AI."

Komentet e tij vijnë pasi në një sërë këngësh u përdor Inteligjenca Artificiale për të "klonuar" vokalin e artistëve të famshëm.

Në shkurt, DJ David Guetta përdori teknologjinë për të shtuar "zërin" e Eminem për një nga këngët e tij, ndërsa një duet i falsifikuar midis Drake dhe The Weeknd u bë viral në prill.

"Është e ngjashme me mënyrën sesi shikoj një film me CGI (Imazhe të krijuara përmes kompjuterit). Nuk më bën aspak përshtypje. Më mërzitet menjëherë kur shoh një imazh të krijuar nga kompjuteri. Unë imagjinoj se do të ndihem në të njëjtën mënyrë duke bërë muzikë me AI” tha Sting.

Industria e regjistrimit është mobilizuar shpejt kundër Inteligjencës Artificiale, duke krijuar një grup të quajtur " Fushata e Artit Njerëzor " dhe duke paralajmëruar se kompanitë e AI po shkelin të drejtat e autorit.

Nëse muzika e shkruar me AI mund të jetë e mbrojtur nga e drejta e autorit është ende në debat. Sipas ligjit anglez për të drejtën e autorit, veprat e krijuara nga AI, teorikisht mund të mbrohen.

Sidoqoftë, Zyra e Shteteve të Bashkuara për të Drejtat e Autorit vendosi kohët e fundit që arti i AI, përfshirë muzikën, nuk mund të mbrohet nga e drejta e autorit pasi "nuk është produkt i autorësisë njerëzore".

Jo të gjithë janë kundër teknologjisë. Frontmeni i Pet Shop Boys, Neil Tennant, sugjeroi së fundmi se AI mund t'i ndihmojë muzikantët, citon BBC.

/rtsh.al/