Prej disa kohësh inteligjenca artificiale po përfshihet në shumë fusha të jetës. Por së fundmi, është vënë re që televizionet në botë dhe vend po eksperimentojnë me krijimin e një spikeri virtual përmes inteligjencës artificiale.
Eksperti i teknologjisë së informacionit, Tomi Kallanxhi, pedagogu Zylyftar Bregu dhe gazetarja Nisida Tufa, kanë argumentuar mbi këtë çështje në emisionin “Jetë Shqiptare”.
Kallanxhi u shpreh se inteligjenca artificiale do avancojë me ritme të shpejta. Ai u shpreh se pritet që në 2030 të arrihet pika e simularitetit, ku inteligjenca artificiale do kalojë atë humane.
“Me teknologjinë çdokush bën çdo gjë. Pika e simularitetit që pritet të arrijmë në 2030 ku inteligjenca artificiale do kalojë atë humane dhe çështja është që inteligjenca artificiale është 10 muajshe. Imagjino kjo gjë si do jetë 5-10 vitesh.
Sa reputacion do ketë një gazetar që do dalë avatar i tij?
Ai agregon gjithë informacionin. Flasim për bursën, ai duke diskutuar merr një informacion të sapo postuar në uall street dhe e ndan me qytetarët dhe e ndan edhe në gjuhën shqipe”, u shpreh Kallanxhiu.
Gazetarja Nisida Tufa shprehet se nuk ndihet e rrezikuar nga inteligjenca artificiale. Ajo u shpreh se spikerët artificialë janë të programuar dhe nuk shprehin emocion në raportimin e ngjarjeve.
“Fare nuk ndihem e rrezikuar. Problemi është që po shkohet deri ku arrin inteligjenca artificiale. Por e gjalla mbetet e gjallë.
Jam pro çdo zhvillimi, por teksa dëgjon një avatar nuk krijon emocione. Është i programuar, por personalisht mendoj si do bëhet për ngjarjet e minutës së fundit?
Në gjuhën shqipe mendoj se do jetë më e vështirë. Më duket variant i frikshëm për të marrë lajmin, mënyra si artikuloi, zëri, të jep emocion jo të mirë”, tha Tufa.
Ndërsa pedagogu Bregu e konsideron shqetësuese për publikun inteligjencën artificiale. Ai u shpreh se inteligjenca artificiale mund të bëjë shumë teknika të gazetarisë, por gazetari vë në përdorim shumë shqisa të tij.
“E mora videon dhe ua tregova studentëve. Mendoj që mund të shqetësojë dhe duhet ta shqetësojë publikun. Por do isha i lumtur nëse do e shqetësonte në sensin pozitiv, që gazetarët të ktheheshin te vlerat tradicionale të gazetarisë. Inteligjenca artificiale mund të bëjë shumë teknika të gazetarisë, por gazetari përdor shumë shqisa, nuhatjen, veshin. Një prodhim kompjuterik të paktën deri tani, nuk besoj se mund ta bëjnë”, deklaroi Bregu.