RTSH 24 Live

Rajon

Integrimi/ Propozimi i Macron i shkon Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski: Do kalojë në proces konsultimi

30/06/2022

Integrimi/ Propozimi i Macron i shkon Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski: Do kalojë në proces konsultimi

Propozimi i Presidentit francez, Emmanuel Macron, për zhbllokimin e rrugës drejt BE, ka mbërritur këtë të enjte në qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Lajmin e ka bërë me dije vetë qeveria e Maqedonisë së Veriut, ku përmes një njoftimi shprehet se vendimin për të ardhmen e vendit të tyre do ta marrin bashkërisht.

Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë për Punë të Jashtme, nga presidenca franceze me BE-në, ka mbërritur propozimi me ide që kanë të bëjnë me pozicionet dhe qëndrimet, siç thuhet, publike dhe të qarta të vendit tonë. Kjo, siç thuhet në komunikatën e Qeverisë, paraqet bazë për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ në Qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas edhe me Presidentin e vendit, Parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin qytetar dhe opinionin e ekspertëve në vend. Ashtu siç kemi premtuar, vendimin për të ardhmen tonë do ta sjellim bashkërisht, në mënyrë meritore, konform interesave strategjike të vendit dhe qytetarëve. Qeveria e RMV-së, falenderon Presidentin Macron dhe presidencën franceze, për përpjekjet e tyre që të tejkalohen pengesat dhe të ruhet kredibiliteti evropian në Ballkan”, thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski u shpreh se kjo çështje do të kalojë në proces të gjerë konsultimi.

Sot nga Presidenca Franceze në Qeveri është pranuar një propozim me ide që kanë të bëjnë me qëndrimet dhe qëndrimet tona të shprehura publikisht në lidhje me kontestin me Republikën e Bullgarisë. Ky propozim, përgatitja e të cilit merr parasysh qëndrimet dhe kërkesat tona, do të kalojë në një proces të gjerë konsultimi. Konsultimet në ditët në vijim do të mbahen në Qeveri, parti politike, president të shtetit, Parlament, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend. Vendimi në lidhje me propozimin do të merret pas këtyre konsultimeve. Ashtu siç premtuam dhe kundër spekulimeve të opozitës, vendimin për të ardhmen tonë do ta marrim bashkërisht sipas interesave strategjike të vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë. I shpreh mirënjohjen time Presidentit Macron dhe Presidencës Franceze për përpjekjet e tyre për të kapërcyer pengesat dhe për të ruajtur besueshmërinë evropiane në Ballkan”, shkruan ai në Facebook.

Presidenti francez ka bërë një propozimin për zgjidhjen e ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, që po mban peng edhe Shqipërinë, në mënyrë që t’i hapet rruga procesit të integrimit. Detaje të propozimit nuk janë bërë publike.

/rtsh.al/