RTSH 24 Live

Politikë

Integrimi në BE/ Rutte: Nëse s’ka OK nga Shkupi për propozimin francez, shumë kolegë të mi do kërkojnë ndarjen e tij nga Tirana

04/07/2022

Integrimi në BE/ Rutte: Nëse s’ka OK nga Shkupi për propozimin francez, shumë kolegë të mi do kërkojnë ndarjen e tij nga Tirana

Nëse Maqedonia e Veriut nuk do të pranojë propozimin francez që adreson mosmarrëveshjet mes Shkupit dhe Sofjes, atëherë shumë vende të BE do të kërkojnë ndarjen e Shqipërisë që të vijojë e vetme rrugën e integrimin në BE. Këtë e bëri të ditur kryeministri i Holandës Mark Rutte, i pyetur nga gazetarja e RTSH, Denada Shkodrani nëse do të mbështeste ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nëse vijon ende bllokimi për hapjen e negociatave.

Rutte tha se vendi i tij nuk ka qenë kurrë dakord që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të trajtoheshin së bashku, por kjo u kërkua nga shumica e kolegëve të tij. Kryeministri holandez shprehu nota optimizmi se Shkupi do e pranojë propozimin francez, por shtoi se nëse kjo nuk ndodh atëherë shumë kolegë të tij do të kërkojnë ndarjen e dy vendeve për rrugën e tyre të integrimit.

“Kurrë nuk kemi qenë në favor të qenit së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut së bashku, por ka një mendim të gjerë në BE se ato nuk duhet të shkëputen. Një pjesë e madhe e kolegeve kanë kërkuar që të mbahen së bashku, ka vend për optimizëm që Maqedonia e Veriut ta pranojë propozim francez. Nëse Shkupi nuk do e pranojë do ketë më shumë mbështetje në BE që Shqipëria të ndahet. Unë nuk mund ta garantoj këtë, por kolegët e mi do të shohin më pozitivisht mundësinë e ndarjes së dy vendeve për vijimin e negociatave. Shpresoj që kjo të mos jetë e nevojshme dhe Shkupi të pranojë propozimin”, tha Rutte.

Edhe kryeministri Rama kërkoi që Maqedonia e Veriut të pranojë propozimin francez dhe “të mos qëndrojë më në derën e BE”, pasi në të kundërt do të kërkojë ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së .

Gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani

/rtsh.al/