RTSH 24 Live

Politikë

Integrimi në BE, Balla: Javën e ardhshme do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare

30/06/2022

Integrimi në BE, Balla: Javën e ardhshme do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare

Javën e ardhshme do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, që shënon dhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim. Lajmin e ka bërë me dije kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla gjatë fjalës së tij këtë të enjte në Kuvend, i cili u shpreh se është arritur dakordësia mes 27 vendeve të Bashkimit Evropian për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kërkova fjalën për të ndarë një lajm të rëndësishëm sa i përket rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE që ka të bëjë me faktin se ka një dakordësi të plotë mes 27 endeve anëtare të BE për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE. Është një moment i rëndësishëm, kjo pas komunikimeve të disa orësh të parlamenteve anëtare. Sapo është larguar edhe ambasadori i Çekisë me të cilin pata mundësinë të zhvilloj një komunikim. Dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare tashmë javën e ardhshme është fakt. Fillimi i bisedimeve është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Ata që javën e ardhshme duan të protestojnë nuk e kanë me ne, e kanë me shqiptarët”, tha Balla.

Konferenca e Parë Ndërqeveritare shënon dhe fillimin zyrtar të bisedimeve për anëtarësim në BE, ku mblidhen përfaqësues të qeverisë dhe përcaktohen kornizat themelore. Këto korniza përcaktojnë udhëzimet dhe parimet që rregullojnë negociatat e anëtarësimit me çdo vend kandidat. Negociatat zhvillohen midis ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në Konferencën Ndërqeveritare.

/rtsh.al/