RTSH 24 Live

Ekonomi

Integrimi ekonomik i Ballkanit Perendimor, projekt i ri në fushën e infrastrukturës

15/06/2022

Integrimi ekonomik i Ballkanit Perendimor, projekt i ri në fushën e infrastrukturës

Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) lançoi projektin e ri për mbështetje të integrimit ekonomik rajonal në fushat e infrastrukturës për cilësi dhe tregtisë elektronike. Projekti EU 4 Business: Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal do të zbatohet në emër të Bashkimit Evropian (BE) dhe Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe synon të forcojë integrimin ekonomik rajonal midis Palëve të CEFTA-s duke e mbështetur zbatimin e Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal në të dyja fushat.

Vetëm partneriteti i vërtetë midis të gjitha palëve do të sigurojë reforma që do të zbatohen mirë dhe sukses drejt qëllimit tonë të përbashkët të dyfishtë – integrimit ekonomik rajonal dhe afrimit në tregun evropian, u vlerësua në ngjarjen e lansimit të projektit “EU 4 Business: Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal” në Shkup.

Sistemi funksional i infrastrukturës për cilësi është katalizator për përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve në një ekonomi. Ai e ndihmon stimulimin e kërkesës për këto produkte dhe shërbime duke vërtetuar se produktet janë të një cilësie të caktuar të kërkuar. Produktet e testuara konsiderohen “të përshtatshme për qëllimin” dhe duke marrë një shenjë cilësie, produktet mund të eksportohen më lehtë në tregje të tjera. Sistemin e infrastrukturës për cilësi e përbëjnë pesë komponentë thelbësorë: akreditimi, standardizimi e metrologjia, si dhe certifikimi dhe testimi/inspektimi.

David Oberhuber, Drejtori i GIZ në Maqedoninë e Veriut, deklaroi se Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) është shumë krenare që sërish është ngarkuar për të zbatuar një projekt që do të rrisë tregtinë dhe konkurrencën në tregjet e CEFTA-s.

"Projekti është vazhdim dhe plotësim i aktiviteteve tona të përbashkëta të vazhdueshme me palët e CEFTA-s për të mbështetur zbatimin e reformave tregtare në rajon në përputhje me kërkesat në procesin e harmonizimit me BE-në.Sistemi efikas i infrastructures për cilësi do të mbrojë si konsumatorët nga produktet e pasigurta ashtu edhe bizneset nga kostot joproporcionale dhe konkurrenca e pandershme. Tregtia elektronike (e-tregtia) nga ana tjetër është një nga fushat me rritjen më të shpejtë në tregtinë e shërbimeve në ekonomitë e CEFTA-s. Integrimi rajonal në këtë zonë do t'ui lejojë konsumatorëve të përfitojnë prej zgjedhjeve më të mëdha dhe çmimeve më të ulëta, kurse shitësit me pakicë do të mund të reduktojnë kostot e transaksioneve dhe të kenë akses në tregje të reja me kosto efektive,", tha David Oberhuber.

Steffen Hudolin, Shef për Bashkëpunim në Delegacionin e BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut deklaroi se infrastruktura funksionale dhe e besueshme e cilësisë është parakusht thelbësor për lëvizjen e lirë të mallrave, ndërsa tregtia elektronike është mjet i ri që sjell potencial të jashtëzakonshëm për rritjen e tregtisë përtej kufijve.

“Jemi të kënaqur që BE-ja do të mbështesë ekonomitë e CEFTA-s për të përforcuar bashkëpunimin e tyre rajonal dhe për të përmirësuar qarkullimin e lirë të mallrave. Në këtë mënyrë qytetarët dhe biznesi nga rajoni do të mund të përjetojnë një nga “katër liritë e tregut të brendshëm” si në BE. Gjithashtu besojmë se rezultatet e këtij projekti do të çojnë më tej në mundësi të reja për rritje ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, theksoi ai.

Otto Graf, Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën Gjermane në Maqedoninë e Veriut përkujtoi se qeveria gjermane e ka mbështetur reformën ekonomike rajonale, që është në zhvillim e sipër, dhe përpjekjet për bashkëpunim në kuadër të Procesit të Berlinit që nga viti 2014.

Integrimi ekonomik rajonal do të rrisë produktivitetin e ekonomive, do të çojë në çmime më të ulëta dhe rritje të mirëqenies dhe do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit. Ky projekt është vazhdimësi e partneritetit ndërmjet Qeverisë Gjermane, BE-së dhe ekonomive të CEFTA-s për të zbatuar reformat tregtare brenda kornizës së CEFTA-s në përputhje me kërkesat e procesit të përafrimit me BE-në. Së bashku me palët e CEFTA-s, jemi të përkushtuar që integrimi ekonomik rajonal të funksionojë me sukses për bizneset”, theksoi ai.

Kreshnik Bekteshi, Ministri i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut tha se të gjitha ekonomitë e CEFTA-s duhet të demonstrojnë gatishmëri për të bashkëpunuar me të gjitha palët fqinje. Siç nënvizoi ai, integrimi ekonomik rajonal është mjeti më i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik rajonal dhe përshpejtimin e rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia Covid-19 dhe Maqedonia e Veriut tashmë i vëren përfitimet e këtij bashkëpunimi në nivel kombëtar.

Nëpërmjet këtij projekti do të marrim mbështetje për të forcuar institucionet tona për IC (QI) dhe për t'i përafruar ato me kërkesat e BE-së, gjë që do të na ndihmojë të bëhemi më konkurrues në rajon në tregtinë e mallrave industriale. Tregtia online po lulëzon në Maqedoninë e Veriut dhe kjo manifestohet në shoqata të forta dhe dinamikë të madhe në këtë sektor. Ne këtë projekt e shohim si një mundësi të madhe për të avancuar në këto fusha dhe për të kontribuar në qëllimin tonë të përbashkët që - për operatorët tanë të biznesit të sigurojmë qasje në 20 milionë klientë në CEFTA”, vlerësoi ai.

Emir Djikic, Drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s rikujtoi se Plani i Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM AP) është një trampolinë për Ballkanin Perëndimor për harmonizim me rregullat e Tregut Unik të BE-së.

"Janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt afrimit të rajonit me tregun unik të BE-së. AP CRM parashikon që CRM do të funksionojë në përputhje me acquis të BE-së për të siguruar lëvizjen e lirë të mallrave industriale midis vendeve të BP6. Për këtë, është i nevojshme IC (QI) plotësisht funksional dhe i harmonizuar. Palët tashmë e kanë pranuar dhe njohur potencialin ekonomik të tregtisë elektronike dhe jemi të sigurt se së bashku do të vazhdojmë të ndërtojmë ekonomi të begata në tërë rajonin", theksoi Djikic.

Johanna Wohlmeyer, Menaxhere e Fondit në GIZ, e cila e prezantoi projektin, tha se integrimi ekonomik rajonal ofron potencial të madh për rritje të ekonomive të Ballkanit Perëndimor.

"Plani i Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM AP) e përcakton kornizën e projektit që për qëllim përfundimtar e ka të arrihet qarkullim i papenguar i mallrave, shërbimeve dhe fuqisë punëtore me kualifikime të larta. Konsumatorët dhe kompanitë gjithashtu do të përfitojnë nga korniza e harmonizuar rajonale që siguron qarkullim të lehtë dhe të sigurt të mallrave industriale dhe ato të tregtuara në mënyrë elektronike. Duke qenë se projekti mbështet integrimin rajonal në bazë të acquis të BE-së, ai gjithashtu kontribuon drejtpërdrejt në përpjekjet e rajonit për anëtarësim në BE., tha Wohlmeyer.

Projekti Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal kontribuon në krijimin e një mjedisi biznesi që ua kursen kostot dhe kohën ndërmarrjeve kur tregtojnë në tregun rajonal. Në të njëjtën kohë, duke i futur standardet e BE-së, e forcon mbikëqyrjen mbi tregjet dhe sigurinë e konsumatorëve. I mbështet agjencitë qeveritare për të përmirësuar procedurat e nevojshme për tregtimin e mallrave dhe shërbimeve në rajon, duke i përgatitur kështu edhe ekonomitë e CEFTA-s për Tregun Unik Evropian.

/rtsh.al/