RTSH 24 Live

Politikë

Integrimi, çështja e Shqipërisë mund të zgjidhet brenda dhjetorit

25/11/2021

Integrimi, çështja e Shqipërisë mund të zgjidhet brenda dhjetorit


Qendrimi më i fundit i Bullgarisë e cila lejon Shqipërinë të shkëputet nga Maqedonia dhe  të çelë bisedimet e anëtarësimit me BE nuk përkrahet nga disa vende europiane. Zhvillimet e orëve të fundit premtojnë në nivele të larta mundësi zgjidhjeje edhe brenda dhjetorit të çështjes joshqiptare që mban peng Shqipërinë. 
"Shqipëria duhet të gjykohet sipas meritave të saj dhe është e gatshme të bëjë përparim në rrugën drejt BE-së". Ambasadori bullgar është deklaruar në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme me këtë qendrim për Shqipërinë, duke ndarë nga ana tjetër qendrimin për Maqedoninë e Veriut. Burime diplomatike të besueshme i thanë televizionit publik se ky qendrim është në vazhdë të deklarimeve të mëparshme zyrtare, ndërkohë që një mundësi për të ndryshuar qendrimin brenda një muaji nga mbajtja e Takimit të krerëve të shteteve anëtare, nuk përmban optimizëm të bazuar.
"Shqipëria duhet të gjykohet sipas meritave të saj dhe është e gatshme të bëjë përparim në rrugën drejt BE-së. Fatkeqësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut ende nuk i përmbush kriteret për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare” tha ambasadori. 
I ndodhur në Sofje për aksidentin tragjik me 46 humbje jete të shqiptarëve që kthehesin nga Turqia, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Bujar Osmani, është shprehur optimist për një zgjidhje që sipas tij do të kërkohet në mënyrë aktive kur të formohet qeveria në Bullgari. "Mendoj se në dhjetor ka një shans të mirë për të gjetur një zgjidhje, ka thënë ai sepse nuk kemi alternativë përveç marrëdhënieve të mira fqinjësore me Bullgarinë dhe perspektivës europiane." Paraditen e së enjtes Presidenti bullgar njoftohet të jetë shprehur po ashtu optimist për dialogun me Maqedoninë. 
Presidenti Rumen Radev në një bisedë telefonike me komisionerin Oliver Varheli, është shprehur se shpreson që dialogu të sjellë rezultate konkrete.