Në raport analizohet dhe vlerësohet situata e tanishme e parandalimit dhe e kontrollit të pandemisë në 51 vende sipas pesë treguesve: numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara, numri i rasteve të reja të konfirmuara, numri i viktimave, numri i vaksinimeve dhe cikli i plotë i vënies nën kontroll të pandemisë nga shpërthimi deri më 14 korrik.

Të dhënat statistikore tregojnë se ShBA-ja ka paraqitjen më të keqe në tre tregues. Ajo ka mbi 34 milionë të infektuar të konfirmuar dhe mbi 600 mijë vdekje nga koronavirusi, shifra këto më të lartat në botë. Ndërsa numri i ditëve me më pak se 5000 raste të reja infektimi gjatë gjithë kohës nga shpërthimi deri në kontrollin e pandemisë është vetëm 62, shifra më e ulët ndër të gjitha vendet e përfshira.

Sipas të dhënave, edhe situata në vendet kryesore europiane nuk është e kënaqshme për sa i përket numrit të përgjithshëm të rasteve të konfirmuara dhe të viktimave. Ndërkohë, protestat kundër masave të kufizimit të lëvizjes në disa vende europiane e kanë ndërlikuar punën e qeverive për kontrollin e virusit. Vendet në zhvillim, me përfaqësues Brazilin, Indinë etj., kanë një situatë më serioze për shkak të popullsisë së dendur, infrastrukturës së dobët të shëndetësisë publike, klimës, si dhe përhapjes së variantit të ri “Delta”. Kurse Zelanda e Re dhe Australia janë vendet e prekura më pak nga pandemia. Arsyet për këtë, sipas analistëve, janë pozicioni i veçantë gjeografik, popullsia e vogël dhe masat aktive të kontrollit.

Në të njëjtën kohë, vendet aziatike, si Kina, Koreja e Jugut, Singapori dhe

Vietnami etj., në saje të menaxhimit të fuqishëm dhe masave efektive të kontrollit, si kufizimi i hyrje-daljeve kufitare, karantina me testim dhe kontroll kufitar, kanë arritur rezultate pozitive në frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Ndër të gjithat vendet e studiuara, Singapori dhe Vietnami kanë më pak viktima, dhe në Korenë e Jugut, për 537 ditë rastet e reja ditore të infektimit janë më pak se 5000.

Kina është vendi me më pak raste të reja në ditë dhe numrin më të madh të vaksinimeve. Analistët vënë në dukje se, në një vend me popullsi mbi 1.4 miliard banorë, vënia nën kontroll e virusit realizohet në bazë të një sërë masash të fuqishme, si kufizimi i udhëtimit në fazën fillestare të shpërthimit të epidemisë, testimi masiv i acidit nukleik dhe gjurmimi i kontakteve të ngushta, shpërndarja në përmasë kombëtare e burimeve mjekësore, krijimi i ekipeve të vullnetarëve në lagje, rifillimi gradual i hyrje-daljeve kufitare sipas kushteve të kontrollit etj.

Gjithashtu Kina, me përparimin në prodhimin e vaksinave, ka nxitur fort zbatimin e planit të vaksinimit të popullsisë. Deri tani, janë bërë 1.4 miliard doza vaksine. Kina u ka ofruar më shumë se 100 vendeve e organizatave ndërkombëtare mbi 500 milionë doza vaksinash dhe lëndë të para për prodhimin e vaksinave, duke zënë 1/6 të vëllimit të përgjithshëm të prodhimit global të vaksinave.

"Mirëpo në përmasë botërore, polarizimi i rëndë i shpërndarjes së vaksinave është një fakt i pamohueshëm. Situata e vaksinimit në vendet në zhvillim në përgjithësi nuk është aq e mirë sa në vendet e zhvilluara. Për shkak të kushteve të dobëta mjekësore dhe rezervimit të vaksinave nga disa vende të zhvilluara, bota është ende shumë larg objektivit të realizimit të imunitetit në shkallë të gjerë", vihet në dukje në raport.

Ndërkohë, analiza zbulon gjithashtu se, në kushtet e ofertës së pamjaftueshme të vaksinave në përmasë botërore, qeveritë përsëri mund ta vënë nën kontroll përhapjen e virusit me masa të rrepta. Për shembull, pavarësisht përqindjes së ulët të vaksinimit, Vietnami, nëpërmjet kontrollit efektiv të kufirit dhe karantinës, ka ruajtur nivelin e ulët të numrit të ri të infektimeve.(Zhangyan/Artan)(Foto:VCG,CGTN)