RTSH 24 Live

Ekonomi

INSTAT, pushuesit vendas nuk i zëvendësuan dot të huajt, turizmi përgjysmohet

23/11/2020

INSTAT, pushuesit vendas nuk i zëvendësuan dot të huajt, turizmi përgjysmohet

Mbyllja dhe Kufizimet për shkak të situatës së COVID-19 bënë që Shqipëria të përjetonte një turizëm të dobët në sezonin veror. Të dhënat e Institutit të Statistikave përmes Anketës së Turizmit “Strukturat Akomoduese” në tremujorin e tretë të vitit tregojnë se numri i vizitorëve në këto struktura gjithsej është ulur me 43,3 %, në krahasim me tremujorin e tretë të 2019. E njëjta tendencë në ulje është shfaqur edhe për netët e qëndrimeve tregues që është ulur me 44,9 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2019.

Në raport me atë çka kanë preferuar turistët kur vjen fjala tek bregdeti apo mali dominon i pari pasi 79 % e tyre kanë preferuar detin. Nga ana tjetër Jugu mbetet rajoni më frekuentuar ku 42.1 për qind e netëve të qëndrimeve në këtë tremujor ka qenë pikërisht në këtë rajon.

INSTAT vlerëson se nëse do të analizojmë sjelljen e vizitorëve rezident nga netë qëndrimet, vërehet se vizitorët rezident shqiptarë kanë preferuar të pushojnë gjatë muajve Korrik, Gusht dhe Shtator në Rajonin e Jugut duke shpenzuar 5,3 % netë qëndrime më shumë, në Zonat Bregdetare duke shpenzuar 10,7 % netë qëndrime më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

INSTAT vlerëson se gjatë tremujorit të tretë 2020 është shënuar rënie e numrit të vizitorëve ku numri i vizitorëve rezident është ulur me 9,2 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2019 ndërsa numri i vizitorëve jo-rezident është ulur me 59,3 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2019.