RTSH 24 Live

Ekonomi

INSTAT: Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, 87.7 miliardë lekë

24/09/2022

INSTAT: Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, 87.7 miliardë lekë

Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, që përbëjnë një zë të rëndësishëm të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, vijuan rikuperimin edhe gjatë 8-mujorit janar-gusht të këtij viti, duke zënë 27 % të vëllimit të eksporteve, shkruan ATSH duke ju referuar INSTAT.

Eksportet e këtij grupi rezultuan 7.4 miliardë lekë më të larta edhe krahasuar me tetëmujorin e parë të 2019-ës, që përkon me periudhën para pandemisë.

Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, eksportet e këtij grupi arritën 87.7 miliardë lekë gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, kur në tetëmujorin e 2021-shit ato llogariteshin rreth 72.1 miliardë lekë. Në tetëmujorin e 2019-ës, ato ishin 80.3 miliardë lekë.

Industria fason ka një peshë specifike në eksportet shqiptare dhe në punësim. Kjo industri kontribuon me 38 % në totalit të eksporteve dhe angazhon 45 % të forcës punëtore.

Falë avantazheve të tilla si pozicioni gjeografik i vendit, kuadri ligjor me standardet e BE-së, kosto e ulët e transportit dhe infrastrukturës, fuqisë punëtore, e gatshme për të punuar në këtë sektor, por edhe investimeve të larta të kompanive në makineri dhe pajisje, vitet e fundit Shqipëria ka zgjeruar eksportet drejt tregjeve të reja. Disa kompani po shkojnë drejt mbyllje së plotë të ciklit të prodhimit. ( Sipas ATSH )