RTSH 24 Live

Ekonomi

Inflacioni, gati paketa e re antikrizë

13/06/2022

Inflacioni, gati paketa e re antikrizë

Shqipëria ka shënuar inflacionin më të ulët në rajon, të paktën për mallrat e shportës. Banka Qëndrore Europiane dhe Banka Federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke marë kundërmasa përpara se të materializohet inflacion i lartë dhe rritje e ulët ekonomike që ekonomistët e quajnë stagflacion.

Ekonomitë në botë po përballen me shifra në rritje të treguesve të çmimeve të konsumit.

Inflacioni mesatar në Eurozonë pritet të shkojë në 6.8% në vitin 2022, përpara se të ngadalësohet në 3.5% në 2023 dhe 2.1% vitin e ardhshëm. Këtë e parashikoi dje BQE-së, e cila e përkufizoi inflacionin si “një sfidë të madhe”.

Krahu i politikës monetare të Rezervës Federale do të mblidhet më 13 qershor për të shpallur vendimin e saj mbi normat të mërkurën, më 14 qershor.

Inflacioni i matur me indeksin e çmimeve të konsumit për muajin maj në SHBA u rrit me 8.6%, në bazë vjetore. Nuk kishte qenë në këtë nivel prej 40 vitesh.

Deri më sot, 60 banka qendrore kanë rritur tashmë koston e parasë në përpjekje për të frenuar përshpejtimin e inflacionit. BQE mund të bëjë një varg prej 5 rritjesh të njëpasnjëshme nga korriku deri në fillim të vitit 2023. Banka Botërore ka thënë se ekonomia botërore mund të hyjë në një periudhë stagflacioni që të kujton vitet 1970. Banka Botërore, si dhe OECD sot, kanë ulur parashikimet e saj për rritjen globale.

Në Shqipëri, inflacioni në maj është 6,7 pikë përqindjeje. Ky është treguesi më i ulët i treguesit të çmimeve të konsumit në rajon, duke pasqyruar vetëm shportën e produkteve. Ekspertët e tregut thonë se inflacioni është më i lartë, ndërsa INSTAT e vlerëson me dy shifra inflacionin e ushqimeve, rreth 12 për qind.

Banka e Shqipërisë nuk ka reaguar për të ndryshuar normën bazë të inflacionit, ndërsa Banka Europiane do ta ndryshojë atë pesë herë dhe Banka Federale rreth 7 herë deri në fund të vitit 2023. Ndikimi nuk do të jetë vetëm në rritjen e çmimeve, por po kaq ndikim do të ketë kosto e borxhit të qeverisë, normat e interesit të kredive, shtrenjtimi i kursit të këmbimit e deri pagat e depozitat, që do të goditen nga inflacioni i lartë.

Ndërkohë qeveria shqiptare, sipas burimeve zyrtare, po përgatit një paketë ndihme financiare për shtresat në nevojë dhe ato me paga të ulëta.

/rtsh/