RTSH 24 Live

Politikë

Incidenti me armë zjarri në selinë e PD në Kurbin, përjashtohen nga Primaret dy kandidatët

03/12/2022

Incidenti me armë zjarri në selinë e PD në Kurbin, përjashtohen nga Primaret dy kandidatët

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale ka përjashtuar nga primaret në Kurbin të dy kandidatëve Alfred Dajçi dhe Edmond Shkoza, pas incidentit me armë zjarri që ndodhi disa ditë më parë në selinë e PD atje.

Përfshirja në një konflikt verbal dhe më pas në përdorimin e armës së zjarri nga anëtari i PD së degës Kurbin Van Rica dhe nënkryetarit të degës Kastriot Marku për primaret ka sjellë përjashtimin e kandidatëve të cilët ata mbështesnin.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale tha se pas shqyrtimit të fakteve, fotove dhe dëshmive u vendos përjashtimi i kandidatëve, ndërsa shtoi se aktet e dhunës janë papranueshme dhe kanë cenuar rëndë ecurinë e procesit zgjedhor të primareve. Gjithashtu është shkarkuar nga çdo funksion në PD autori që qëlloi me armë Van Rica.

Më 4 dhjetor Rithemelimi zhvillon primaret në të gjithë vendin për zbulimin e emrit të kandidatit që do të garojë më pas për bashkinë në zgjedhjet e vendore të 14 majit 2023.

Ngjarja ndodhi gjatë një takimi të kandidateve të primareve, ku Van Rica i cili mbështeste kandidatin Edmond Shkoza kishte kërkuar anëtarësimin e disa simpatizantëve, por kjo është kundërshtuar nga nënkryetari i degës së Partisë Demokratike të Rithemelimit Kastriot Marku me pretendimin se kishte përfunduar afati i anëtarësimeve. Kjo ka barë që në debat e sipër ai të qëllonte me armë në ajër. Rica po hetohet në gjendje të lirë nga drejtësia.

/rtsh.al/