RTSH 24 Live

Aktualitet

Inceneratorët/ GJKKO rrëzon kërkesën për bashkimin e dy dosjeve! Koka probleme shëndetësore, largohet me ambulancë

15/02/2023

Inceneratorët/ GJKKO rrëzon kërkesën për bashkimin e dy dosjeve! Koka probleme shëndetësore, largohet me ambulancë

GJKKO në seancën e kësaj të mërkure, ka rrëzuar kërkesën e bërë nga avokatët e ish-ministrit Lefter Kokës dhe ish-deputetit socialist Alqi Bllako për bashkimin e dy dosjeve të inceneratorëve, atë të Elbasanit dhe të Fierit. Në seancë ishin të pranishëm dhe ish-Ministri Koka dhe ish-deputeti Bllako.

Ish-ministri Lefter Koka ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë seancës dhe ka lënë ambientet e gjykatës me ambulancë. SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, tre akuza të rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë "Albtek Energy”, inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services”, si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”. Lefter Koka akuzohet se ka përfituar 3.7 mln euro nga Inceneratori i Elbasanit.

Bllako akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Bllako akuzohet se ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit. Kjo shkelje është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.

/rtsh.al/