RTSH 24 Live

Art

Ikonë apo Seksizëm?

28/11/2020

Ikonë apo Seksizëm?

Ky është debati mes Këshillit Bashkiak të qytetit Palm Springs në Kaliforni dhe kritikëve të artit. Skulptura gjigande e Marilyn Monroe e vendosur pranë Muzeut të Artit të Palm Springs shfaq foton e famshme të Marilyn nga fotografi i revistës LIFE, Elliott Erwitt.

Politikanët në Palm Springs, Kaliforni, e shohin skulpturën të titulluar "Forever Marilyn" me cepin e fustanit  të bardhë të ngritur mbi bel nga era, si një atraksion turistik, argëtues dhe nostalgjik.

Por kritikët e artit e kanë konsideruar atë si seksist dhe janë  kundër vendimit të vendosjes së skulpturës pranë muzeut.

Nga viti 2012 në 2014, skulptura, nga Seward Johnson, qëndroi në qendër të qytetit Palm Springs. Këtë muaj, bashkia e qytetit votoi përmes një takimi në zoom për ta sjellë atë përsëri në rrugën që të çon në muzeun e artit.

Drejtori i muzeut, Louis Grachos, u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit të rishikojnë vendimin, duke e quajtur skulpturën "të ngarkuar seksualisht dhe pa respekt" dhe mbi të gjitha të papërshtatshme për afërsisht 80,000 fëmijë të cilët vizitojnë muzeun cdo vit. 

Gjithashtu tre ish drejtorët e muzeut Elizabeth Armstrong, Steve Nash dhe Janice Lyle, kanë komunikuar gjithashtu kundër vendosjes së skulpturës. Në një deklaratë të përbashkët botuar në “The Desert Sun” ata kanë paralajmëruar se vepra artit është "hapur seksiste" dhe zhvlerëson arkitekturën që ka qenë kaq e suksesshme në tërheqjen e turistëve në Palm Springs.

Z. Johnson, i cili vdiq në Mars, është i njohur për realizimin e skulpturave shumë origjinale dhe shumë interaktive. Ai e krijoi statujën e Marilyn në 2011 pas skenës nga filmi i vitit 1955  "The Seven Year Itch" që tregon aktoren duke qëndruar mbi hekurat e metrosë me fustanin e bardhë me pala që fluturonte lart. Për herë të parë u instalua në Çikago, ku edhe atje u kritikua gjerësisht nga kritikët e artit.

Gjatë qëndrimit të saj në Palm Springs, skulptura fitoi më shumë vizitorë si një pikë takimi dhe një destinacion fotografik, me njerëz që pozonin poshtë fustanit.

Takimi i ardhshëm i këshillit bashkiak të qytetit, ku kjo mund të bëhet një çështje e rendit të ditës është planifikuar për 10 Dhjetor.