RTSH 24 Live

Bota

Ikja masive e rusëve pas urdhrit të Putin për mobilizim të pjesshëm, shtetet fqinje drejt mbylljes së kufijve

22/09/2022

Ikja masive e rusëve pas urdhrit të Putin për mobilizim të pjesshëm, shtetet fqinje drejt mbylljes së kufijve

Kaos trafiku është krijuar në pikat kufitare rrugore midis Rusisë dhe vendeve fqinje pas urdhrit të Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm. Qeveria finlandeze ka njoftuar se po shqyrton ndalimin e shumicës së rusëve që të hyjnë në vend, ndërsa shtetet baltike dhe Republika Çeke gjithashtu kanë njoftuar se nuk do të ofrojnë azil për rusët që refuzojnë shërbimin.

Nga këndvështrimi i Komisionit Europian, theksohet se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të duhet të zhvillojnë një qasje të përbashkët në lidhje me kërkesat për hyrje të shtetasve rusë që largohen nga vendi i tyre.

E pyetur në lidhje me këtë gjatë konferencës së sotme për shtyp, përfaqësuesja e Komisionit për Punë të Brendshme, Anita Hipper , tha se ky është një “kontekst i paprecedentë” dhe duhet të merren parasysh shqetësimet e sigurisë si dhe ato gjeopolitike.

Megjithatë, ajo vuri në dukje se është e rëndësishme të zhvillohet një qasje e përbashkët me shtetet anëtare dhe se të gjitha aplikimet për viza duhet të vlerësohen rast pas rasti dhe të marrin parasysh legjislacionin për të drejtat themelore dhe procesin e azilit. Ajo gjithashtu përmendi se Komisioni është në kontakt të ngushtë me shtetet anëtare për të përgatitur hapat e ardhshëm.

Bllokimi i trafikut është konstatuar në kufijtë me Kazakistanin, Gjeorgjinë, Bjellorusinë dhe Finlandën.

Në të njëjtën kohë, në disa aeroporte në Rusi po kryhen kontrolle shtesë për pasagjerët meshkuj që nisen nga Rusia për jashtë. Një sërë mesazhesh në rrjetet sociale thonë se në aeroportin Pulkovo në Shën Petersburg dhe aeroportet e Moskës kontrollojnë të gjithë të rinjtë./ CNN.gr

/rtsh.al/