RTSH 24 Live

Europë

Hungari, spitalet nën presionin e COVID-19

01/04/2021

Hungari, spitalet nën presionin e COVID-19

Pranimet në spitale për shkak të COVID-19 e kanë vënë sistemin spitalor të Hungarisë nën një presion në rritje, ndërsa infektimet pritet të rriten më tej në ditët e ardhshme, paralajmërojnë mjekët, sipas Reuters.

“Numri i pacientëve të shtruar në spital për COVID-19 arriti në 8 270 një ditë më parë, duke tejkaluar kulmin e valës së dytë të dhjetorit”, tha kryekirurgia Cecilia Muller.

“Situata e pandemisë është shumë serioze në Hungari”, theksoi ajo në një konferencë, duke shtuar se 833 persona ishin në ventilator, më shumë se niveli i lartë i dhjetorit.

Gjithashtu, Hungaria ka pasur numrin ditor më të lartë të vdekjeve për frymë në botë në javët e fundit, ndërsa pandemia ka tensionuar një sektor të kujdesit shëndetësor tashmë në vështirësi, pavarësisht nga një fushatë vaksinimi që ka arritur një të pestën e popullsisë, ndër nivelet më të larta të Europës.

Qeveria e Orbanit është përpjekur të shmangë një bllokim të ashpër për të parandaluar një përsëritje të recesionit të thellë që pasoi bllokimet e pranverës 2020, por ashpërsoi kufizimet të hënën, duke zgjatur orën policore për natën dhe duke mbyllur të gjitha shkollat, si e​​dhe shumicën e dyqaneve.