RTSH 24 Live

Kosova

Hoti: Projekti “Rrëfimet për masakrën e Krushës ” gurthemel për hulumtimin e historisë sonë

23/11/2020

Hoti: Projekti “Rrëfimet për masakrën e Krushës ” gurthemel për hulumtimin e historisë sonë
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës Fazli Gajraku

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës Fazli Gajraku, kanë në shkruar sot memorandumin e bashkëpunimit për mbështetjen financiare të projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i cili tha se ky projekt do të shërbejë si gurthemel për t’i shtruar rrugën hulumtimit të historisë gojore në Kosovë.

“Ky projekt për mbledhjen e rrëfimeve të masakrës së të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe do të shërbejë si gurthemel për t’i shtruar rrugën hulumtimit më të thellë të historisë gojore në vendin tonë”, tha ai.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha se përmes këtij projekti do të dokumentohet një nga masakrat më mizore të kryera nga forcat serbe.

“Projekti i cili sot po rëndësohet është tejet i rëndësishëm për projektet e këtij lloji. Ju bëjë ftesë që një nismë e tillë të realizojnë edhe muzeu, arkivi kombëtarë. Të mbledhin dhe të grumbullojnë faktet”, tha ajo.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, tha se përmes këtij projekti do të dokumentohen histori të masakrës së Krushës së Madhe.

“Këto rrëfime do ta mbulojnë një zbritësi të vuajtjeve dhe të historisë së Kosovës. Pritet të jenë rreth 300 histori gojore të dëshmitarëve. Mbledhja e intervistave dhe materialeve të tjera do të ndikojë në dokumentimin e rrëfimeve të masakrës së Krushës së Madhe”, tha ai.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se ky projekt do të mundësojë që përmes rrëfimeve të dokumentohet masakra e kryer nga Serbia.

“Nga 221 persona sa i vrau Serbia, në mesin e tyre nuk dihet ku është as profesori Ukshin Hoti. Ky projekt ka nevojë të mbështetët nga të gjithë ne, unë si kryetar e mbështes këtë projekt”, tha ai.