RTSH 24 Live

Lifestyle

Hoteli që “noton” do të ndërtohet në Dubai

22/12/2021

Hoteli që “noton” do të ndërtohet në Dubai

Një hotel i pazakontë pritet të hapet në vitin 2023 në Dubai. Ky është hoteli lundures Kempinski, një resort i ri me pesë yje, i cili është unik në llojin e tij, me vende parkimi jo për makina, por për super jahte, që do të ankorohen pranë plazhit Jumeirah. Resorti luksoz jo vetëm që do të notojë, por 12 vilat që e rrethojnë, do të mund të shkëputen nga hoteli kryesor dhe të udhëtojnë të vetme në vende të ndryshme.

Të përshkruara si “varka luksoze” nga zinxhiri i hoteleve zvicerane Kempinski, këto vila do të lidhen me hotelin qendror me 156 dhoma, me disa platforma druri. Ato do të kenë një kabinë të vogël për ekuipazhin, si edhe një motor të integruar. Mysafirët do të jenë në gjendje të përdorin kapitenin e tyre ose të përdorin dikë të ofruar nga hoteli.

Vilat do të jenë struktura dykatëshe me një deri në katër dhoma gjumi, si dhe një tarracë private në çati dhe pishinë. Ato do të pajisen edhe me dritare të mëdha panoramike dhe të gjitha karakteristikat teknike të një shtëpie moderne. Vilat janë projektuar të jenë miqësore me mjedisin dhe do të kenë panele diellore.