U mbajtën këtë të hënë homazhet në nderim të aktorit te njohur Lutfi Hoxha pranë Pallatit të Kulturës në qytetin e Durrësit.
Familjarë, miq, kolegë dhe bashkëpunëtorë i dhanë aktorit të qindra roleve lamtumirën e fundit.
"Ai ka qenë një aktor brilant. Nëse do karakteret më të bukura, ato i zhvillonte Lutfi Hoxha," tregon aktori Roland Koça.
Aktori Lutfi Hoxha është një nga aktorët e parë që themeluan teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ai ka interpretuar gjithashtu në dhjetëra role në kinematografi.
"Miku i mirë sikur të heq një copë nga mendimet, nga kujtimet, edhe nga trutë. Kjo është dhimbja që ndjej," tha regjisori Haxhi Rama.
"Kur ikin artistë me vlera, siç është Lutfi Hoxha, sidomos për ne që e kemi njohur, kemi jetuar bashkë, dhembja është tepër e madhe," tha shkrimtari Bardhyl Agasi.
Aktori i mirënjohur lindi në Durrës më 1 qershor të vitit 1934 ku edhe kreu mësimet e para për të vijuar liceun artistik "Jordan Misja".
Mbi 100 role në teatër dhe afro 17 në kinematografi përbëjnë gamën e jetës së tij artistike.
Disa prej filmave në të cilët ka interpretuar janë “Rrugicat që kërkonin diell”, “Detyrë e posaçme”, “Thirrja”, “Shoku ynë Tili”, “Pylli i lirisë”, “Tinguj lufte”, “Nata e parë e lirisë”, “Ne dhe lenini” etj.
Gazetare: Katerina Kule
/rtsh.al/