RTSH 24 Live

Sociale

Historia e mjekut në Pustec/ Niko Kolamovski, shembulli i një mjeku që u kthye në vendlindje

30/03/2023

Historia e mjekut në Pustec/ Niko Kolamovski, shembulli i një mjeku që u kthye në vendlindje

30 marsi shënon Ditën Ndërkombëtare të Mjekut, të krijuar për t’u njohur me bluzat e bardha, punën dhe kontributet e tyre në shoqëri.

Historiku i përcaktimit të kësaj date, si dita e mjekut sjell një histori interesante, pasi përkon me një zbulim të madh në mjekësi, që është ai i aplikimit të anestezisë lokale për herë të parë tek një pacient, një risi kjo e sjellë nga një doktor gjeorgjian.

Mesazhi më i ndjeshëm në këtë ditë të shënuar për mjekësinë vjen nga një mjek në Pustec. Niko Kolamovski shërben prej 4 vitesh në qendrën shëndetësore të Pustecit, ndërsa mbulon me shërbim mjekësor edhe fshatrat Diellas, Lajthizë, Zaroshkë e Cerje e pas qëndrimit të tij për 42 vite me radhë në Maqedoninë e Veriut, ku edhe atje ushtronte profesionin e mjekut, ai rikthehet në vendlindje.

Kjo e diferencon atë nga shumë kolegë të tij, që gjithnjë e më tepër, po largohen nga Shqipëria ndërsa ai ka vendosur që këtej e tutje, t’i qëndrojë besnik vendit të tij e të ushtrojë profesionin e mjekut në Pustec.

Misioni i mjekëve doli më në pah kryesisht gjatë periudhës së pandemisë, ku me profesionalizëm e përkushtim, bluzat e bardha i’u dedikuan pacientëve të prekur nga ky virus i panjohur më parë duke i qëndruar besnikë “Betimit të Hipokratit” në misionin e tyre human.

Gazetare: Geralda Saliasi

/rtsh/