RTSH 24 Live

Kulturë

Historia 100 vjeçare e Muzeut tonë Kombëtar në një botim të veçantë, Saka: Provë materiale e një udhëtimi ndër shekuj

20/11/2022

Historia 100 vjeçare e Muzeut tonë Kombëtar në një botim të veçantë, Saka: Provë materiale e një udhëtimi ndër shekuj

Historia 100 vjeçare e Muzeut tonë Kombëtar, tashmë  është memorizuar edhe në një botim të veçantë, falë punës së studiueses, Elsa Saka dhe historianit të njohur shqiptar, Dorian Koçi.

Bashkëautorja Elsa Saka, në një postim në rrjetin e saj social Facebook, komenton se publikimi i këtij libri me titull “100- vjetori i themelimit të Muzeut Historik Kombëtar 1022- 2022”, është një ditë e rëndësishme, sepse ky botim për të është një nga momentet më të forta të krenarisë që ndjen pas një pune të gjatë dhe me shumë pasion.

Sipas saj, ky vëllim i parë, pasqyron  historinë e Muzeut Kombëtar në pikat më kulminante të tij!

“Ky botim nuk i dedikohet thjesht përkujtimit të 100 vjetorit të Muzeut Kombëtar, por vjen dhe si një moment i vlerësimit dhe nderimit ndaj një pune kolosale dhe sakrifice  shekullore të elitave të kombit për  dokumentimin dhe ekspozimin e identitetit tonë kombëtar me rrënjë të thella evropiane.”- shkruan Saka.

Sipas saj, bibliotekat dhe muzeumet cilësohen si ADN e kulturës së një kombi sepse kromozomet e këtij zinxhiri janë të krijuara nga betejat e ashpra  të ekzistencës dhe mbijetesës ndër shekuj.

Saka nënvizon se përmes këtij botimi simbolik, të gjithë duhet të reflektojnë mbi ngritjen e Muzeut Kombëtar, jo si një proces i ndërtimit  fizik të një godine apo grumbullimi i dokumentacionit dhe provave materiale, por edhe si projektim i një udhëtimi ndër shekuj,  kompleks dhe të vështirë të ndërgjegjes dhe vetëdijes sonë kombëtare.

“100 vite origjinë e  një muzeu, nuk janë të konsiderueshme për historinë e një kombi, dhe aq më pak për Shqipërinë, e cila gjendet mes fqinjëve që zotërojnë histori të pasur dhe që daton me shekuj në themelimin e muzeve dhe ngritjen e  monumenteve. Por, e veçanta në koloritin historik të Muzeut tonë Kombëtar, është pikërisht dokumentimi, memoristika, artifaktet  dhe  të shumë objekteve që shfaqen si tharm i fuqisë së jashtëzakonshme në përballjen e shqiptarëve me shumë sfida dhe beteja në shpalosjen e vlerave të identitetit tonë evropian.”- thekson Saka.   

Sipas saj, ky botim dëshmon një pjesë të rëndësishme të këtij korpusi, të dokumenteve dhe fakteve të zbuluara nga fondet e Arkivit Qendror Shtetëror, që janë  hartuar dhe ruajtur me fanatizëm ndër breza dhe  frymëzuar nga pasioni i një elite patriotësh dhe intelektualësh të mëdhenj.

/rtsh.al/