RTSH 24 Live

Kulturë

Histori njerëzore/ Nga Korça në Prishtinë për muzikën në shesh

13/11/2022

Histori njerëzore/ Nga Korça në Prishtinë për muzikën në shesh

Sa mbërrin në sheshin "Zahir Pajaziti“ në qendër të Prishtinës, veshi kap tingujt e nje melodie shumë të veçantë për shqiptarët, atë të këngës për komandantin legjendar, Adem Jashari. E njohin si Besmir Korça, saksofonisti që rend qytet më qytet me instrumentin e tij. Të shumtën e ditës, luhet melodia e këngës për Adem Jasharin, sepse kjo kërkohet më së shumti. Luan nga të gjitha llojet e melodive, nga populloret e deri tek serenatat, ndërsa shumë kalimtarë e turistë afrohen e dëgjojnë me ëndje meloditë e tij.

Në Prishtinë vjen për herë të parë e jeton këtu prej 5 muajsh. Lidhjen me Prishtinën e ka shpirtërore e ndjehet mjaft mirë. E veçon me qytetet e tjera jo vetëm për kulturën qytetare, mikpritjen, por pse jo edhe si mundësi fitimi. Megjithëse në mes të sheshit, profesinonin e tij e sheh si çdo profesion tjetër në fushën e artit.

Besmiri është korçar, e sigurisht që ka edhe familje. Në Prishtinë jeton me qira e do të kthehet për festat e fundvitit në Korçë. Pak kohë më parë në rrjetet sociale u bë virale video në të cilen shihej Besmiri, i cili teksa luante në saks, afrohet nje qën e këndon plot ndjenjë në mënyrën e tij. Që nga ajo ditë, qeni i qëndron besnik e nuk ndahet nga Besmiri. Të tilla veçori, e histori njerëzore, e kaq të thjeshta në dukje e në performancë, i japin hijeshi çdo sheshi e qyteti, fundja përcjell artin mes njerëzve në atë zhurmën e përditshme. Këtë bën çdo ditë edhe Besmir Korca.

/rtsh.al/