RTSH 24 Live

Politikë

Hetimet për ish kompleksin 'Partizani', Fatmir Mediu në SPAK: Dëshmova si person që ka dijeni për çështjen

21/09/2022

Hetimet për ish kompleksin 'Partizani', Fatmir Mediu në SPAK: Dëshmova si person që ka dijeni për çështjen

Fatmir Mediu është paraqitur në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni lidhur me hetimet për dosjen e kompleksit ‘Partizani’. Mëngjesin e 21 shtatorit, Mediu ka shkuar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme ku do u përgjigjet pyetjeve me kërkesë të prokurores Enkeleida Milonari.

Pas marrjes në pyetje, ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu tha për mediat se kishte dhënë dëshmi si person që kishte dijeni për një çështjes që ka interes të SPAK.

“U ftova për të dhënë një dëshmi si person që ka dijeni rreth një çështje që është në hetim dhe interes të SPAK. Kaq mund të them se është pjesë e hetimit”, tha Mediu.

Për këtë çështje Taulant Balla ka paditur ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Berishës. SPAK po e heton çështjen e privatizimit të kompleksit 'Partizani' për pastrim parash. Ish-kompleksi “Partizani”, ka qenë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Më herët kreu i SPAK Arben Kraja, gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë” në RTSH, deklaroi  se nën hetim janë çështja e Gërdecit dhe ajo e privatizimit të kompleksit “Partizani”.

“Në lidhje me Gërdecin, hetimet janë komplekse. Ka vështirësitë e veta, është kohë e gjatë që ka kaluar, por do të sqarojmë të gjitha rrethanat çfarë ka ndodhur brenda mundësive që kemi. Ne po hetojmë ngjarjen. Ish- ministri i Mbrojtjes është me statusin e personit në hetim për shpërdorim detyre, sepse atë status ka pasur, por u pezullua për arsye të imunitetit, ndërkohë pjesën tjetër po e hetojmë dhe nëse do të ketë prova, patjetër që do të ketë dhe akuza për atë që do të provohet. Ka çështje për fakte konkrete për të cilat pretendohet se mund të ketë përfshirje edhe ish- kryeministri apo ish- presidenti. Diskutohet çështja e Gërdecit, që po hetohet, është publike dhe diskutohet çështja e privatizimit të kompleksit “Partizani”, që janë përfshirë familjarë të tij. Çështjet janë në hetim dhe unë nuk mund të them asgjë më shumë”, tha Kraja.

/rtsh.al/