RTSH 24 Live

Kosova

Helmimi në Deçan, Ambasada e SHBA: Mos besoni thashethemet! Prisni faktet!

15/07/2021

Helmimi në Deçan, Ambasada e SHBA: Mos besoni thashethemet! Prisni faktet!

Ambasada Amerikane në Prishtinë kërkon nga qytetarët që të mos besojnë çdo informacion që qarkullon në lidhje me shkakun e helmimit të 1500 qytetarëve në Deçan dhe të presin faktet.

“Mendimet tona janë me ata që vuajnë nga emergjenca shëndetësore në Deçan. Megjithëse do të kryhen më shumë teste, Ministria e Shëndetësisë beson se bakteret janë shkaku i mundshëm i simptomave. Gazetarë, qytetarë – injoroni thashethemet. Prisni për fakte”, deklaroi në rrjetet sociale ambasada.

Ambasada u referohet lajmeve që qarkullojnë një lidhje me helmimin e ujit të pijshëm në Komunën e Deçanit nga dy persona të dyshuar serbë, ndërkohë që nga analizat e autoriteteve nuk është gjetur gjurmë agjenti kimik, por vetëm biologjik.

“Në mostrat e ujit të marra më datën 12.07.2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKSHPK-së Prishtinë, janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm. Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal janë duke vazhduar për detektim të patogjeneve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar”, ka bërë të ditur IKSHPK-ja përmes një komunikate.