RTSH 24 Live

Kosova

Helmimet nga uji në Deçan, arrestohet përgjegjësi për kamerat e sigurisë te burimi i ujit 

17/07/2021

Helmimet nga uji në Deçan, arrestohet përgjegjësi për kamerat e sigurisë te burimi i ujit 

Një zyrtar përgjegjës për kamerat e sigurisë në vendin e quajtur si Gryka e Deçanit është arrestuar, pasi u vërtetua që kamerat ishin jo funksionale që prej 2 muajsh.

Arrestimi vjen pasi mbi 1500 persona në Deçan shfaqën simptoma të helmimit që nga data 10 korrik. Sipas testimeve të fundit të bëra nga Instituti i Shëndetit Publik doli që një pjesë e ujit të pijes nga ujësjellësi “Hidrodrini” ishte kontaminuar me baktere.

Arrestimi i zyrtarit është konfirmuar edhe nga zëdhënës i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi. Kujtojmë se Prokuroria e Pejës është duke vazhduar hetimet lidhur me shkaktarin e helmimeve në Deçan.

ISHPK është duke kryer analiza të vazhdueshme të ujit, ndërsa disa mostra të pacientëve të helmuar është thënë se do të dërgohen për testim jashtë Kosovës.

Në njoftimin për media të lëshuar të premten, ISHPK-ja tha se në mostrat e ujit të ujësjellësit të datës 13 korrik nga rajoni i Deçanit, “janë identifikuar disa baktere jopatogjene” dhe se ato “mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm”.