RTSH 24 Live

Botë

Hekurudha gjermane: Përmbytjet shkaktuan 1.3 miliardë euro dëme në rrjet

23/07/2021

Hekurudha gjermane: Përmbytjet shkaktuan 1.3 miliardë euro dëme në rrjet

Operatori kombëtar hekurudhor i Gjermanisë tha sot se përmbytjet e javës së kaluar shkaktuan dëme në vlerë prej 1.3 miliardë euro në rrjetin e saj, duke ofruar një pamje tjetër të përmasave të shkatërrimit.

Autoritetet janë ende duke punuar për të përcaktuar koston e përgjithshme të përmbytjeve që shkaktuan dëmet e tyre më të rënda në pjesën perëndimore të Gjermanisë dhe pjesën lindore të Belgjikës. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha këtë javë se dëmet janë të "mëdha" dhe do të duhet shumë kohë për riparimin e tyre.

Të paktën 177 persona e humbën jetën në Gjermani nga përmbytjet ndërsa 37 të vdekur janë raportuar në Belgjikë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 208.

Operatori gjerman hekurudhor "Deutsche Bahn" tha se më shumë se 50 ura, 180 kalime hekurudhore, rreth 40 kuti sinjalesh, mbi 1.000 shtylla elektrike dhe sinjalizuese si dhe disa sisteme energjie dhe ndriçimi dhe ashensorë stacioni u dëmtuan.

"Asnjëherë më parë infrastruktura jonë nuk është shkatërruar në këtë masë me një veprim", tha Volker Hentschel, anëtar i bordit në sektorin e infrastrukturës të kompanisë DB Netz. Ai tha se vlerësimet fillestare flasin se përmbytjet shkaktuan dëme në rrjetin hekurudhor dhe stacionet prej rreth 1.3 miliardë euro.

Qeveria, e cila zotëron "Deutsche Bahn", është zotuar të nisë shpejtë përpjekjet e rindërtimit. Hentschel tha se do të duhen "muaj, në mos vite" për të rikthyer gjithçka në vendin e saj, megjithëse kompania është e sigurt se do të riparon 80 për qind të infrastrukturës së dëmtuar deri në fund të këtij viti./AA