RTSH 24 Live

Ekonomi

HEC Skavica, gati projekti i fazës së parë

29/06/2022

HEC Skavica, gati projekti i fazës së parë

Kur në prillin e këtij viti, Parlamenti Shqiptar miratoi ligjin për një procedurë të veçantë për negociatat me Bechtel International, për të hartuar dhe ndërtuar Hidrocentralin Skavica, u duk së bëhej fjalë thjesht për një projekt në letër dhe vetëm kaq.

Projekti i Qeverisë Shqiptare për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës gjeti mbështetjen e Qeverisë Amerikane.

Në dokumentin e nënshkruar theksohet rëndësia e Projektit të HEC Skavica, si një projekt me interes kombëtar, i cili do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do ta pozicionojë vendin tonë si qendër energjie për rajonin.

Skavica mund të kushtojë midis 308 dhe 510 milionë euro.

Strategjia e KESH për Skavicën ka avancuar mjaft në muajt e fundit dhe sipas administratorit të Përgjithshëm të KESH sha, faza e parë e projektit është gati në muajin shtator.

Ndërtimi i HEC Skavicës është një projekt madhor me impakt jo vetëm në sistemin elektro-energjetik, por edhe në ekonominë kombëtare të vendit. .

Ky projekt do të sigurojë optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e fushë Shkodrës dhe fushë Lezhës, si dhe rritjen e sigurisë dhe efiçencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese të kaskadës.

Integrimi i HEC Skavicës me kaskadën e Drinit ka avantazhet se: krijon rezervën ujore më të madhe në Europë, prej 7 miliardë m3 ujë dhe, në të njëjtën kohë bëhet aseti më i rëndësishëm strategjik kombëtar; si dhe disiplinon përmbytjet në të gjithë rrjedhën e Drinit; rrit sigurinë e digave poshtë saj dhe mundëson menaxhimin e integruar dhe të kompjuterizuar nga një dispeceri qendrore të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, duke e rritur eficiencën e saj rreth 10 për qind.

Ky HEC mundëson integrimin më të mirë energjitik me Kosovën ose tregun rajonal, sidomos me Italinë, duke mundësuar eksportin e energjisë në momentet e pikut me çmimet më të larta, çka maksimizon përfitimet financiare të KESH-it.

/rtsh/