RTSH 24 Live

Kosova

Haradinaj: Ngjarjet në Veri, të papranueshme

26/09/2021

Haradinaj: Ngjarjet në Veri, të papranueshme

Situata në Veri të Kosovës duket e qetë këtë të dielë, pas dy incidenteve në Zubin Potok dhe Zveçan. Por në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, në orët e para mëngjesit të së dielës janë parë dy avionë nga Serbia duke fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovën. Bllokimi i kufirit nga serbët vazhdon në diën e shtatë saj.
Lidhur me këtë të situatë ka reguar ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili e cilëson të papranueshme atë që po ndodh në Veri të Kosovës. Në një status në facebook. Haradinja shkruan: “Pavarësisht se si janë zhvilluar gjërat, se si është marrë vendimi për targat, ajo që po ndodh në veri të vendit është e papranueshme. E mbështes fuqishëm Policinë e Kosovës dhe institucionet e vendit të cilat janë vënë në mbrojtje të rendit dhe të ligjit. Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj. Njëkohësisht kërkoj nga Brukseli që të ndërhyjë te Beogradi zyrtar dhe të kërkojë prej tij që të mos e provokojë situatën në veri por t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara!” ka deklaruar Haradinaj. 

Këtë të dielë ka reaguar edhe Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë  në lidhje me ngjarjet që po shoqërojnë ditët e fundit kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, pas reciprocitetit për targat. Përmes një njoftimi për mediat, KASH i bën thirrje Republikës së Serbisë që të ndalojë retorikën konflikt-nxitëse dhe përshkallëzimin e tensioneve. “Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po përcjell me shqetësim zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës. Ne mbështesim fuqimisht vendimin legjitim të Republikës së Kosovës për të vendosur reciprocitet në trajtimin e targave të automjeteve që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë. KASH shpreh keqardhjen që marrëveshjet e dakordësuara në Bruksel nuk gjejnë vullnetin për zbatim, duke prapësuar arritjet e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga BE.”, thuhet në reagimin e Këshillit të Ambasadorëve. 

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson se paqja, stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit tonë mund të ndërtohet vetëm mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë të të gjitha shteteve dhe popujve. “Ne i bëjmë thirrje Republikës së Serbisë që të ndalojë retorikën konflikt-nxitëse dhe përshkallëzimin e tensioneve. Një qasje e tillë e udhëhequr nga nivelet më të larta shtetërore të Serbisë nuk është në interes të askujt, aq më pak në interes të qytetarëve të etnisë serbe të Republikës së Kosovës. Retorika konfliktuale e Beogradit dhe Moskës zyrtare, lëvizja e forcave ushtarake të Serbisë në kufij me Kosovën dhe sulmet kriminale në qendrat e regjistrimit të automjeve të Zubin Potok dhe Zveçan, janë të papranueshme dhe një këmbanë alarmi për të frenuar në kohë daljen jashtë kontrolli të situates”, thuhet në seklratën e KASH. 
KASH u bën thirrje BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve për të reaguar me shpejtësi dhe pa ekuivok ndaj politikave dhe veprimeve konflikt-nxitëse të Serbisë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përsërit se dialogu dhe integrimet në strukturat europiane dhe Euro-Atlantike janë rruga e vetme për paqe, stabilitet dhe prosperitet të rajonit tonë.