Hapet më 14 mars Tuneli i Murrizit. Lajmin e komunikoi këtë të enjte (13 mars) KryeministriEdi Rama në rubrikën “Sy m’Sy” në rrjetin social Facebook.
Rama deklaroi se falë qeverisë së tij qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj kanë zbuluar copa të mrekullueshme të Shqipërisë.
“Tuneli do dorëzohet nesër për popullin e Dibrës i cili mezi e kanë pritur disa vite. Mendoj se e plasi syrin e keq. Gjeologjia e atij tuneli ishte një tmerr.
Nesër tuneli I Murrizit hapet në 14 mars, përkon dhe me ditën e verës. Nesër ditë vere nga Elbasani në Dibër e gjithë shqiptarinë pa harruar Tiranën.
Do zbuloni një copë Shqipërie të mrekullueshme. Kemi krijua mundësi për zbulimin e copave të mrekullueshme deri të paarritshme”, deklaroi Rama.
Kryeministri garantoi se sa të jetë ai në qeverisje, Tuneli i Murrizit nuk do të ketë asnjë tarifë.
"Ky tunel është i ndërtuar me Partneritet Publik Privat. I ka dalë shtetit shqiptarë dhe taksapaguesve shumë më lirë se rrugët që bëheshin dikur me tendera që më pas ktheheshin në histori abuzimi duke shtuar fonde për punime të paparashikuara. Kjo kontratë u bë që gjithçka e mbulon sipërmarrësi privat. Ajo që do bëj shteti do shlyej detyrimin mbi fondin limit të parashikuar. Rruga e Arbrit dhe Tuneli sa të jem unë këtu nuk do kenë taksë, tarifë", theksoi Rama.
Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3.800 metrash dhe është realizuar totalisht nga kompani shqiptare. Ai e afron më shumë zonën e Matit dhe të Dibrës me kryeqytetin.
/rtsh.al/