RTSH 24 Live

Sociale

Hap dyert spitali i ri Infektiv në QSUT! Rama: Brenda mandatit të rrisim pagën e mjekëve me 100 %

16/11/2022

Hap dyert spitali i ri Infektiv në QSUT! Rama: Brenda mandatit të rrisim pagën e mjekëve me 100 %

Në ambientet e QSUT ka hapur dyert Spitali i ri infektiv.  I pranishëm në përurim kryeministri Edi Rama e çmoi stafin mjekësor si krenaria e mjekësisë shqiptare. Kryeministri bëri të ditur se ambicia ishte që paga e mjekëve të rritej me 100 % deri në fund të mandatit qeverisës.

“Ishte kënaqësi që gjatë vizitës në këto mjedise të reja të takoja ata me eksperiencë dhe më të rinjtë. Kam besim që ky investim do të shërbejë për të krijuar sinergji më të madhe dhe sens më të fortë të një skuadre e cila e tregoi veten në momentin më tragjik. Respekt për trupën e Infektivit për atë që bëri gjatë pandemisë dhe kjo nuk duhet harruar kurrë. Një skuadër e tregoi veten në momentin më tragjik për vendin dhe sfidën më të madhe të mjekësisë shqiptarë që nga themelimi i shtetit shqiptar por duhet ta tregojë veten edhe në të ardhmen dhe përditshmen duke u kujdesur për çdo pacient. Është vënë një tjetër gur në këtë mozaik, mbeten ende për t’u transformuar edhe pak hallka të tjera dhe besoj se brenda këtij mandati do të kemi një kompleks spitalor këtu në QSUT tërësisht të transformuar dhe shëmbëlltyrë të ambicies tonë dhe përputhjes së profesionalizmit të mjekëve me mjete dhe hapësirat në dispozicion. Duhet të ndërhymë edhe për pjesën e universitetit këtu, sepse është e pamundur të qëndrojë në atë gjendje dhe do bëjmë edhe një ndërhyje plotësuese aty. Ambicia jonë është që brenda këtij mandati ta çojmë në 100 % rritjen e pagës në raport me pagën  nisjes. Me buxhetin e ri e kemi çuar 70 %, por të shpresojmë të mos na ndodh ndonjë tjetër katastrofë që të mos çojnë në përballimin e saj një buxhet të dedikuar”, tha Rama.

Zoti Rama falënderoi dhe përfaqësuesin e Bankës Botërore.

"Banka Botërore na është përgjigjur në nevojën tonë për shpejtësi dhe besoj se është mbështetja dhe kuptimi i plotë i rëndësisë së madhe të këtij projekti në aspektin e infrastrukturës dhe moral për këtë trupë që është krenaria e mjekësisë shqiptare”, tha Rama. 

Spitali i rindërtuar ka 130 shtretër dhe është i paisur me aparatura bashkëkohore. Zoti Rama tha se investimet do të vijojnë dhe në territore të tjera nga Dibra në Gjirokastër, nga Lezha dhe më tutje në zona të tjera për ta përmbyllur mozaikun e infrastrukturës së shëndetësisë dhe për ta transformuar.

"Ne e dimë që kjo nuk mjafton. Duhet të ecim me autonominë spitalore për të bërë rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve sipas performancës që kush punon më shumë, të fitojë dhe më shumë se paga tavan”, tha kryeministri Rama duke nënvizuar edhe filozofinë e tij për shërbimin shëndetësor në Shqipëri.

/ rtsh.al /