RTSH 24 Live

Art

Haliti sjell koleksionin privat "Ngjyra"

16/03/2021

Haliti sjell koleksionin privat "Ngjyra"

 

10 piktura nga koleksioni privat i artistit Helidon Haliti janë ekspozuar në ambientin e një banke në kryeqytet. Të gjithë këtë cikël krijimtarie Haliti e ka titulluar “Ngjyra”, e cila nuk vjen vetëm si një dominim koloresh në këto punime, por nga ana tjetër si një mesazh shprese për të tejkaluar pengesat me optimizëm.
“Perceptimi personal i çdo artisti është ai që e bën atë të veçantë, pra sesi i perceptoj unë vështirësitë, unë i perceptoj me ngjyrë vështirësitë” tha piktori.
Të gjitha këto punime artistike, kanë një domethënie të veçantë për Halitin, pasi secila prej tyre lidhet me një ngjarje, që ka patur një ndikim në krijimtarinë e artistit.
“Këto padyshim janë ngjarje shumë pikante. E para njëherë vjen një cikël nga fëmijëria ime, ku unë ndeshesha me të gjitha llojet e trajtave me kafshët, unë zhytesha me të gjitha trajtat me simbolin e shtëpisë, të cilin e kam lënë disa herë për shkak të studimeve dhe migrimit. Unë ndeshem me të gjitha ato fabulat dhe mitologjitë që më lexonte im atë dhe sigurisht që ka edhe ngjarje personale në të gjithë këto po t’i vësh re me vëmendje. Janë të zgjedhura punët në një mënyrë të tillë saqë të kishin 10 piktura, 10 ngjarje. Unë jam tek tëgjitha këto por me perceptime të ndryshme, në raport me ngjarjen sesa ajo gjurmë ka lënë në shpirtin tim” shpjegon Helidon Haliti. 
Megjithëse të gjitha këto piktura-ngjarje janë të gjitha të rëndësishme për Halitin, ai arrin të veçojë një prej tyre, për domethënien e veçantë që ka patur në perceptimin e tij personal. 
Ekspozita “Ngjyra” do të pasohet nga një tjetër ekspozitë që piktori Helidon Haliti do të çelë në muajin Maj, të cilin ai e quan ndryshe si “projekti i jetës”.