RTSH 24 Live

Botë

Hagë, prokurori kërkon rifillimin e hetimeve për krime lufte në Afganistan

28/09/2021

Hagë, prokurori kërkon rifillimin e hetimeve për krime lufte në Afganistan

Prokurori në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë (ICC) i kërkoi të hënën gjykatës leje për të rifilluar një hetim për krime lufte të veprimeve të talebanëve dhe Shtetit Islamik-Khorasan në Afganistan.

ICC kaloi 15 vjet duke hetuar krimet e dyshuara të luftës në Afganistanin e shkatërruar nga lufta, por hetimi u pezullua një vit më parë nga qeveria afgane që gëzonte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, e cila tha se po kryente hetimin e saj, para se vendi të binte në duart e talebanëve muajin e kaluar.

ICC është një gjykatë e nivelit të fundit për hetimet e krimeve të luftës, kur vendet anëtare individuale nuk janë në gjendje ose nuk duan të kryejnë hetimet e tyre. Prokurori i ri i ICC-së, Karim Khan tha se që kur ra qeveria e Kabulit e cila njihej ndërkombëtarisht, ka një "ndryshim të rëndësishëm të rrethanave".

"Pas shqyrtimit të çështjeve me kujdes, kam arritur në përfundimin se në këtë moment, nuk ka më perspektivë për hetime të vërteta dhe efikase... brenda Afganistanit", tha zoti Khan.

Gjyqtarët e ICC-së tani do të shqyrtojnë kërkesën e zotit Khan. Hetuesit kishin shqyrtuar krimet e supozuara nga të gjitha palët në konflikt, përfshirë forcat amerikane, trupat e qeverisë afgane dhe luftëtarët talebanë.

Kryeprokurori Karim Khan

Zoti Khan tha se ai dëshiron të përqëndrojë hetimin e tij në veprimet e talebanëve dhe Shtetit Islamik-Khorasan, degë e grupit terrorist të Shtetit Islamik që vepron në Afganistan, dhe të mos vendosë më në prioritet krimet e dyshuara të luftës nga forcat amerikane.

Përfshirja e mëparshme e krimeve të dyshuara të luftës nga forcat amerikane kishte zemëruar administratën e ish-Presidentit amerikan Donald Trump, i cili vendosi sanksione ndaj paraardhëses së zotit Khan, Fatou Bensouda, lidhur me këtë çështje. Shtetet e Bashkuara hoqën sanksionet ndaj zonjës Bensouda në fillim të këtij viti, nën drejtimin e Presidentit Joe Biden.

Departamenti i Shtetit të hënën vuri në pah njoftimin e prokurorit.

"Ne ishim shumë të shqetësuar për situatën aktuale të të drejtave të njeriut në Afganistan, dhe kjo gjithashtu përfshin akuzat për mizori, dhe sigurisht mirëpritëm përpjekjet për të siguruar llogaridhënie", u tha gazetarëve të hënën zëvendës zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jalina Porter.

"Ne jemi të kënaqur të shohim që ICC i jep përparësi burimeve të saj për t'u përqëndruar tek akuzat më të rënda dhe krimet mizore", shtoi ajo.

Zoti Khan tha se fokusi i tij i ri në hetime ishte i nevojshëm për shkak të "gravitetit, shkallës dhe natyrës së vazhdueshme të krimeve të supozuara nga talebanët dhe Shteti Islamik" dhe nevojës për "ndërtimin e çështjeve (gjyqësore) të besueshme, që mund të provohen përtej dyshimit të arsyeshëm në sallën e gjyqit".

Prokurori i ICC-së tha se pjesë e fokusit të një hetimi të ri do të ishte sulmi vdekjeprurës i 26 gushtit në aeroportin e Kabulit, një incident autorësinë e të cilit e pretendoi ISIS-K, në të cilin u vranë 13 ushtarakë amerikanë dhe më shumë se 100 civilë afganë./voa