RTSH 24 Live

Kosova

Guvernatori i New York-ut e shpall "emergjencë katastrofike" krimin me armë

07/07/2021

Guvernatori i New York-ut e shpall "emergjencë katastrofike" krimin me armë

Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, krimin me armë e shpalli "emergjencë katastrofike", duke e karakterizuar rritjen e dhunës me armë në shtetin e tij si një plagë raciste që përpos vdekjes dhe plagosjeve të viktimave, ajo gjithashtu zvarrit ekonominë.

Cuomo bëri të ditur se ai ishte guvernatori i parë në SHBA që etiketoi kaq gjerësisht dhunën me armë si "emergjencë" dhe e trajtoi atë me të njëjtën seriozitet si kriza e koronavirusit, duke përfshirë përdorimin e shkencës dhe të dhënave për të dalë me zgjidhje.

Ai tha se kriza e koronavirusit ishte si një baticë e ulët që "ekspozoi shëmtinë në fund" të shoqërisë, duke i lënë njerëzit të dëshpëruar dhe më të gatshëm për të marrë armë.

Ai përmendi disa statistika të serioze: Të shtënat janë rritur 38 për qind në qytetin e New York-ut gjatë vitit të fundit dhe 77 për qind e atyre viktimave të të shtënave janë njerëz me ngjyrë. Ai tha se 13 persona vdiqën nga COVID-19 fundjavën e kaluar në New York, ndërsa 51 njerëz u vranë me armë zjarri.

Guvernatori tha se New York ka ligjet më kufizuese të armëve në vend, por që 74 për qind e armëve të përdorura në të shtëna vijnë nga jashtë shtetit.

Ai gjithashtu viziton "pikat e nxehta" ku ndodhin shumica e të shtënave me qëllim të rindërtimit të besimin midis popullatës dhe policisë.

Por Cuomo mori duartrokitjet më të forta për planet e tij të gjera për t'u dhënë mundësi për punë fëmijëve të rinj dhe në rrezik, që mund t'i mbajë ata larg dhunës. Ai tha se dëshiron të thyejë ciklin e "drejtësisë në rrugë" me programe ndërhyrjeje në mënyrë që kur dikush të qëllohet, hakmarrja të mos vijë në formën e më shumë të shtënave.

Ai gjithashtu kundërshtoi kritikët konservatorë të cilët kanë thënë se krimi i emigrantëve po e shkakton problemin.

"Emigracioni nuk po vret amerikanët! Armët e paligjshme po vrasin amerikanët!", tha ai.

Cuomo gjithashtu foli për ndikimin ekonomik që dhuna me armë po ka në qytetin e New York-ut. Ai tha se është e lehtë të kuptohet pse një banor i qytetit do të hezitojë të kthehet të jetojë ose të punojë në qytet me rritjen e dhunës me armë.

Ka pasur një rritje të dhunës me armë në të gjithë SHBA-në në vitin 2021, veçanërisht në qytete të mëdha. Çikago regjistroi mbi njëqind njerëz të plagosur në të shtëna dhe dhjetëra të vrarë vetëm gjatë fundjavës së zgjatur për shkak të festës së 4 korrikut.

Cuomo shtoi se qeveria e tij shtetërore do të investonte rreth 140 milionë dollarë në komunitete për t'i mbajtur ata më të sigurt, duke theksuar se zgjidhja duhet të vijë nga rrugët, e jo nga zyret./AA