RTSH 24 Live

Botë

Grusht shteti në Sudan, rrethohet shtëpia e kryeministrit dhe arrestohen anëtarët e tjerë të qeverisë

25/10/2021

Grusht shteti në Sudan, rrethohet shtëpia e kryeministrit dhe arrestohen anëtarët e tjerë të qeverisë

Burra të armatosur në Sudan kanë arrestuar disa anëtarë të qeverisë në shtëpitë e tyre, thonë raportet, ndërsa kriza politike e vendit përshkallëzohet.

Al Jazeera, që citon Al Hadath TV, raporton se ushtarët e paidentifikuar kanë rrethuar edhe shtëpinë e kryeministrit të Sudanit, Abdalla Hamdok, duke e shpallur atë në arrest shtëpie. Një raport tregron se kryeministri civil, Abdallah Hamdok, u arrestua, por kjo nuk është konfirmuar.

Të paktën, katër ministra të kabinetit u arrestuan nga ushtarë të paidentifikuar, pak para agimit të së hënës.

Nuk dihet se kush i ka kryer arrestimet, ndërsa ushtria nuk ka komentuar mbi raportet.

Ka raportime se interneti është ndërprerë në kryeqytetin, Khartoum, ndërsa në mediat sociale janë shfaqur imazhe që tregojnë turma të zemëruara duke djegur goma në rrugë.

Arrestimet e raportuara vijnë mes tensioneve në rritje midis autoriteteve ushtarake dhe civile të vendit në tranzicion.

Të dyja palët kanë ndarë pushtetin që nga përmbysja e presidentit Omar al-Bashir, në vitin 2019. Por tensionet janë rritur që kur një përpjekje për grusht shteti që iu atribuohet ndjekësve të Bashirit, dështoi në shtator.

Në fillim të këtij muaji, kundërshtarët për kalimin e Sudanit në demokraci dolën në rrugët e kryeqytetit, Khartoum, për t’i bërë thirrje ushtrisë të marrë kontrollin e vendit.

Vetëm dje grupet pro-demokracisë kishin paralajmëruar për një grusht shteti të mundshëm pasi forcat e sigurisë shpërndanë me gaz lotsjellës një demonstratë pro-ushtarake që bënin thirrje për shpërbërjen e qeverisë kalimtare.

Të enjten, mijëra njerëz protestuan në Khartoum për të treguar solidaritet me qeverinë tranzitore.

Mbështetja për qeverinë e përkohshme ka rënë në muajt e fundit, pasi ekonomia e vendit ka pasur vështirësi./A2