RTSH 24 Live

Botë

Grupi indigjen i Perusë liron turistët e rrëmbyer me varkë

05/11/2022

Grupi indigjen i Perusë liron turistët e rrëmbyer me varkë

Protestuesit indigjenë në Peru kanë liruar më shumë se 100 turistë që mbanin në një varkë lumi në shenjë proteste ndaj derdhjeve të mëparshme të naftës në rajonin e Amazonës së vendit, njofton Deutsche Welle.

"Ata tashmë po kthehen në vendet e tyre të origjinës," u tha gazetarëve në Lima të premten Ministri i Turizmit Roberto Sanchez.

Shtetasit peruan, amerikanë dhe evropianë u ndaluan në varkë nga komuniteti Cuninico që nga e enjtja.

Të premten turistët dhe vendasit u liruan dhe u transferuan në një varkë tjetër.

Angela Ramirez, një çikliste peruane që ishte në mesin e turistëve tha se kishte pasur "shumë ankth, shumë lodhje" në mesin e grupit.

 Ajo tha se ata kishin filluar të ndjenin vështirësi pas pasi ju mbaroi uji dhe ushqimet gjatë 28-orëve të sprovës.

Derdhjet e naftës kanë pasur ndikime në shëndet. 
Udhëheqësi i grupit indigjen, Watson Trujillo, tha se komuniteti Cuninico mori "masat radikale" në përpjekje për të detyruar qeverinë peruane të vlerësonte dëmin mjedisor nga derdhjet e naftës në rajon.

"Ne e kemi parë veten të detyruar të marrim këtë masë për të tërhequr vëmendjen e një shteti që nuk na ka kushtuar vëmendje për tetë vjet," tha Trujillo.

Ai tha se derdhjet e naftës në 2014 dhe përsëri në shtator të këtij viti "kanë shkaktuar shumë dëme" për njerëzit jeta e të cilëve bazohet tek peshkimi në lumë.

Ministria e Shëndetësisë e Perusë mori mostra gjaku nga banorët në rajon në vitin 2016 dhe zbuloi se rreth gjysma e testeve nga Cuninico treguan nivele të merkurit dhe kadmiumit mbi nivelet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Komuniteti kërkon që qeveria të shpallë një emergjencë për t'u marrë me efektet e ndotjes së naftës.

Ata u zotuan se protestat dhe bllokadat e lumenjve do të vazhdojnë.

 

( Sipas Deusche Welle )