RTSH 24 Live

Greqi

Greqia rivendos masat kundër koronavirusit

02/01/2021

Greqia rivendos masat kundër koronavirusit

Nga dita e diel, më 3 janar, në Greqi do të rivendosen masat kufizuese kundër koronavirusi, shkruan Europa e Lirë. Masat do të jenë në fuqi për një javë ku do të mbyllen sallonet e floktarisë, libraritë dhe disa dyqane të tjera që ishin hapur para Festës së Krishtlindjes, tha Qeveria greke të shtunën.

Shumica e dyqaneve ishin të mbyllura gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar në Greqi, por në prag të festave të fundvitit, u lehtësuan disa masa dhe u mundësua rihapja e disa bizneseve.

Zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas gjatë një adresimi televiziv, bëri të ditur se nga 3 janari, ora policore do të nisë nga ora 21:00 – një orë më herët sesa ishte më parë.

Pestas tha se këto masa kanë për qëllim që të mundësojnë rihapjen e shkollave më 11 janar.

Greqia nisi vaksinimin kundër koronavirusit të ri javën e kaluar. Ky shtet, që prej fillimit të pandemisë e deri më tani, ka regjistruar 139,447 raste me koronavirus. Prej tyre, 4,881 pacientë kanë humbur jetën.