RTSH 24 Live

Rajoni

Greqia e shqetësuar për ndikimin turk në rajon, Dendias: E ardhmja e Ballkanit në BE, jo rindërtimi i Perandorisë Osmane

18/09/2022

Greqia e shqetësuar për ndikimin turk në rajon, Dendias: E ardhmja e Ballkanit në BE, jo rindërtimi i Perandorisë Osmane

Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë duket se po agravojnë gjithmonë e më shumë dhe po ashtu po rritet edhe shqetësimi i Greqisë për ndikimin turk në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në një intervistë për gazetën greke “Parapolitika” ministri i Jashtëm grek, Nikos Dhendias tha se ekziston shqetësimi për ndikimin jo vetëm të Turqisë por edhe të  fuqive të tjera në Ballkan duke shfrytëzuar lidhjet historike dhe ekonomike. Ai tha se Ballkani e ka vendin në BE dhe jo të shërbejë për rindërtimin e Perandorisë Osmane.

Dendias tha se fatmirësisht vendet e Ballkanit e kanë bërë të qartë aspiratën e tyre dhe qasje strategjike e kanë me BE-në.

“Më lejoni t’ju jap një shembull: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të cilin e njoh mirë, mban marrëdhënie të përzemërta me presidentin turk. Megjithatë, kjo nuk e pengon atë të jetë një nga përkrahësit më të rëndësishëm të perspektivës europiane të vendit të tij. Një perspektivë e cila do të thotë se Shqipëria do të jetërsojë plotësisht një kod parimesh dhe vlerash në kundërshtim me riekzaminimin kritik të historisë (revizionizmin).  Europa është e ardhmja e Ballkanit dhe jo rindërtimi i Perandorisë Osmane”, tha Dendias.

Hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Dendias e shikon si zhvillim tepër pozitiv, ndërsa foli edhe për të drejtën e Greqisë për të zgjeruar ujërat territoriale të saj me 12 milje.

“Në janar 2021, pata nderin t’i propozoja Kuvendit të Greqisë, në emër të qeverisë, projektligjin për shtrirjen e ujërave territoriale në Jon, deri në Kepin e Tenaros, në 12 milje detare. Ky është një projektligj me rëndësi historike, pasi për herë të parë që nga viti 1947, Parlamentit iu kërkua të votohej për rritjen e zonës së sovranitetit kombëtar, duke ushtruar një të drejtë sovrane që rrjedh nga Konventa e OKB-së  mbi Ligjin e Detit. Sipas nenit 1, paragrafi 2 i këtij  ligji, vendi ynë shpreh qartë se rezervon privilegjin  për të ushtruar këtë të drejtë përkatëse në rajonet e tjera të territorit. Prandaj shtrirja e ujërave territoriale në 12 milje detare përbën një privilegj të patjetërsueshëm që buron nga e Drejta Ndërkombëtare dhe që vendi ynë do ta ushtrojë në çdo vend  dhe në çdo kohë që do të zgjedhë, me qëllim mbrojtjen e interesave kombëtare”, tha ai.

Kujtojmë se çështja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë do të shqyrtohet nga Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

/rtsh.al/