RTSH 24 Live

Greqi

Greqi, frikë nga mbërritja e zjarreve në qytete

10/08/2021

Greqi, frikë nga mbërritja e zjarreve në qytete

 Zjarrfikësit nga Greqia dhe jashtë saj, përfshirë vullnetarë dhe banorë të Evias, po përpiqen të parandalojnë mbërritjen e zjarreve pranë qyteteve të ishullit.

Në një hapësirë midis fshatrave Galatsades dhe Avgaria, zjarri është jashtë kontrollit, duke ngritur frikën se do të arrijë në qytetin turistik të Edipsos, në cepin veriperëndimor të ishullit, ose në Orei.

Banorët vazhdojnë të kërkojnë më shumë forca tokësore dhe ajrore, por forca e zjarrit nuk është zvogëluar.

Banorët nga zona të tjera të Evias kanë mbërritur për të ndihmuar, pasi njerëzit në fshatrat e kërcënuara po përpiqen të mbajnë flakët jashtë oborreve të tyre.

“Fshatrat po evakuohen”, tha drejtori rajonal për Greqinë Qendrore, Fanis Spanos.

“Unë dua të vë në dukje vetëm këtë, se ne kemi nevojë për vendime të guximshme për të nesërmen dhe ne do të jemi të pakompromis me këtë”, tha Spanos.

“Ka njerëz, familje, të rinj që kanë lidhur jetën e tyre me pyllin dhe prodhimin e tij, siç janë grumbulluesit e rrëshirave. Ata kanë humbur gjithçka. Ne do t’iu qëndrojmë pranë”, shpjegoi ai.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis foli në telefon me kryetarët e bashkive të Istiea-Edipsos Yiannis Kontzias dhe të Mantoudi-Limni-Agia Anna, Giorgos Tsapourniotis.

Ai u informua për shkatërrimin në Evian Veriore dhe pohoi se shteti do të qëndrojë pranë të gjithëve të prekur nga zjarret në ishullin Evia.