RTSH 24 Live

Greqi

Greqi, dhjetëra migrantë të zhdukur në Egje

22/12/2021

Greqi,  dhjetëra migrantë të zhdukur në Egje

Roja Bregdetare greke deklaroi se shumë migrantë rezultojnë të zhdukur pas përmbysjes së një varke në detin Egje.

“Ka ende shumë njerëz të zhdukur. Kemi arritur të shpëtojmë vetëm 12 vetë”, theksoi zëdhënësi i Rojes Bregdetare, Nikos Kokkalas për transmetuesin shtetëror grek ERT.

”Të shpëtuarit dhanë informacione jobindëse se sa njerëz kishin qenë në bord. Le të supozojmë 30 deri në 50 persona, por ne po vazhdojmë operacionin e kërkimit’’, shtoi ai.

Shumica e migrantëve të shpëtuar ishin nga Iraku.

Migrantët përpiqen rregullisht të arrijnë Greqinë kontinentale ose Italinë nga brigjet turke të Egjeut ose vende të tjera të Mesdheut Lindor për të shmangur një qëndrim të gjatë në kampe në ishujt në lindje të Egjeut.

Megjithatë, udhëtimi i gjatë nëpër detin Mesdhe, në jug ose në veri të Kretës, do të thotë se varkat, zakonisht të vjetra dhe të shitura nga bandat e kontrabandistëve, shpesh pësojnë defekte motorike gjatë rrugës.