RTSH 24 Live

Sociale

Grave të papuna me 3 apo më shumë fëmijë, periudha e kujdesit ndaj fëmijëve do t’u njihet si sigurim për pension pleqërie

01/12/2022

Grave të papuna me 3 apo më shumë fëmijë, periudha e kujdesit ndaj fëmijëve do t’u njihet si sigurim për pension pleqërie

Nga data 1 janar 2023, grave të papuna me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njëri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100 000 (njëqind mijë) lekë në muaj, periudha e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare, do të njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje.

Ky është vendimi më i fundit i marrë nga qeveria, lidhur me kontributet e sigurimeve shoqërore për degën e sigurimit të pensioneve dhe degën e sigurimit të barrëlindjes. Sigurimi do të paguhet në nivelin e pagës minimale në shkallë vendi.

Do të jetë Shërbimi Social Shtetëror, ai që do të përcaktojë listën e grave që përfitojnë mbrojtje të veçantë dhe çdo muaj llogarit dhe do të kryejë pagesën e kontributeve, sipas parashikimeve të ligjit, dhe të udhëzimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe çështjet sociale.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Do të jetë ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Vendimi

  1. Grave të papuna me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njëri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100 000 (njëqind mijë) lekë në muaj, periudha e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje.
  2. Kontributet e sigurimeve shoqërore për degën e sigurimit të pensioneve dhe degën e sigurimit të barrëlindjes paguhen në nivelin e pagës minimale në shkallë vendi.
  3. Shërbimi Social Shtetëror përcakton listën e grave që përfitojnë mbrojtje të veçantë dhe çdo muaj llogarit dhe kryen pagesën e kontributeve, sipas parashikimeve të ligjit nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të udhëzimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe çështjet sociale.
  4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
  5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2023.

/rtsh.al/