RTSH 24 Live

Politikë

Gjykata rrëzoi ligjin për komisionet, Bardhi: Asnjë surprizë, Presidenti u bë ushtar i Ramës

10/07/2024

Gjykata rrëzoi ligjin për komisionet, Bardhi: Asnjë surprizë, Presidenti u bë ushtar i Ramës

Gazment Bardhi, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, thotë se shumica socialiste edhe një herë është ndalur nga Gjykata Kushtetuese në tentativat e saj për të bllokuar opozitën.

Kushtetuesja vendosi një ditë më parë të rrëzojë ndryshimet e Partisë Socialiste në ligjin për komisionet hetimore, duke argumentuar se "pamundëson të drejtën e pakicës parlamentare" për të kryer kontrollin e Parlamentit, nga i cili "merr legjitimitet edhe vetë qeverisja".

"Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e të gjitha dispozitave të kundërshtuara që në nisje nga ana jonë dhe të propozuara nga një deputete njëpërdorimshe në Ligjin për Komisionin Hetimor, nuk përbën asnjë surprizë, sepse antikushtetutshmëria ishte ulëritëse," reagoi z. Bardhi përmes një deklarate për shtyp.

Deputeti demokrat drejtoi akuza edhe ndaj presidentit Bajram Begaj. Ai e konsideroi kreun e shtetit "ushtar" të shumicës, që i dha firmën "ligjit antikushtetues dhe antidemokratik" për komisionet hetimore.

"Në Shqipëri është asgjësuar institucioni i Presidentit të Republikës. Presidenti i Republikës Bajram Begaj, në vend që t'i qëndronte besnik betimit për të respektuar Kushtetutën, zgjodhi t'i qëndronte besnik betimit për të shërbyer si një ushtar i Edi Ramës. Fatmirësisht, edhe në këtë rast, keqpërdorimi i Presidentit të Republikës, ishte i përkohshëm dhe pa asnjë vlerë. Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë, duke gjetur në antikushtetutshmëri dyshen Rama-Begaj," deklaroi z. Bardhi.

Vjeshtën e kaluar, kërkesat e vazhdueshme të opozitës për të hetuar çështje të ndryshme parlamentare u rrëzuan pa debat në sallë e Kuvendit. Partia Socialiste u shpreh atëkohë se ligji i ndryshuar kishte për qëllim të disiplinonte punën e komisioneve mes protestave të deputetëve opozitare.

/rtsh.al/